Alma pati shpresuar që djali i saj adoleshent të gjente një jetë më të mirë pasi u largua nga vendlindja e tij, Shqipëria, drejt Gjermanisë. Por, ai u zhduk vetëm disa ditë pas largimit të tij, shkruan AFP, përcjellë albora.ch.

Marketing

“Shqetësimi po ma bren shpirtin. Jam unë fajtorja, jam unë, ajo e cila e inkurajoi atë që të largohej. Ku është? Çfarë po bën tanimë?”.

Këto janë thirrjet e dëshpëruara të 38-vjeçares së ve.

Në dhjetor, 16-vjeçari u largua së bashku me tre të tjerë me veturë drejt Gjermanisë. Që prej asaj dite, Alma s’ka dëgjuar më prej tij.

Ajo i mblodhi të gjitha kursimet e saj për të paguar udhëtimin, me shpresën se ai do të gjente jetë më të mirë atje.

“Ai ka talent, këndon shumë mirë. Mund të studiojë atje dhe të ketë jetën që unë kurrë se pata këtu”, tha ajo teksa lotët vërshonin mbi fytyrën e saj.

Të përballur me papunësinë dhe varfërinë e thelluar, një numër i madh prindërish në Shqipëri i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë. Këtu, duke përfshirë edhe mënyra të jashtëligjshme.

Disa u besojnë dokumenteve false. Të tjerë, shoqërohen nga të afërm, të cilët më pas i lënë atje dhe kthehen drejt Shqipërisë.

Nuk ka një numër të saktë të fëmijëve të cilët emigrojnë drejt Evropë brenda një viti, por qindra janë ndaluar në kufij gjatë 2020-ës.

Me të mbërritur në Evropë, ata të cilët ia dalin, përballen me një stil jete larg ideales. Të paaftë për të folur në gjuhën lokale, ata qasen në izolim dhe jetojnë në streha komunitare.

Katër dekada nën zgjedhë të hekurt u përmbyllën në Shqipëri me ardhjen e viteve 90’. Shqiptarët, filluan të emigronin në masë. Të dëshpëruar për t’u arratisur nga regjimi dhe izolimi komunist diktatorial, ata ndërmerrnin rrugët.

Në 30 vjet, rreth 1.7 milionë shqiptarë, ose rreth 40% e gjithë popullsisë, e la Shqipërinë, ku rroga mesatare është rreth 430 euro në muaj dhe një në tre persona janë të papunë.

Për shumë shqiptarë, Perëndimi është ende një parajsë, e cila do të zgjidhë gjithë problemet ekonomike dhe sociale.

Sociologia Drita Teta, e përshkruan këtë si një “deluzion masiv”.

Për të luftuar rrjedhjen, Policia vendase ka shtrënguar kontrollet në nisje. Shpresa është se ata do të ndalojnë ikjen masive të rinisë, nëse atyre u mungojnë dokumentet e duhura.

Midis janarit dhe nëntorit, 309 fëmijë u ndaluar të largoheshin nga vendi për të emigruar. Në krahasim, në vitin 2020, u ndaluan vetëm 239.

Ekspertët theksojnë se pandemia e COVID-19, ka ndikuar po ashtu në ngadalësimin e ikjes së rinisë drejt kufijve evropianë.

Pavarësisht shpresave të mëdha, shumë persona përballen me një realitet të ashpër pasi ikin.

Në moshën 16-vjeçare, Florimi emigroi drejt Francës pa u thënë prindërve të tij. Ai u kthye një muaj më pas.

“Gjithçka ishte larg parajsës. Larg atyre videove apo fotografive që shohim në media sociale”.

Kështu e përshkruan i riu situatën pasi u kthye në Tiranë.

“Nuk e dija se ai kishte ikur nga vendi. E zbulova vetëm kur ai arriti në Francë”, rrëfen e ëma e tij, Manjola.

Pasi mësoi se djali i saj ishte në Francë, Manjola punoi pa pushim për ta kthyer Florimin në shtëpi. Ajo nënshkroi një sërë dokumentesh të noterizuara, të cilat i kërkonin autoritetet franceze dhe i hapi rrugën djalit të saj për t’u kthyer.

“Mund të kishte përfunduar në shoqëri të keqe e të merrte rrugën e gabuar”, vijon ajo.

Alain Bouchon – shoqata e të cilit kujdeset për fëmijët në Francën lindore – tha se shumë prej tyre emigrojnë drejt vendeve evropiane pa u thënë familjarëve. Shpesh, atyre u mungon edhe ndihma më bazike, duke i bërë shumë vulnerabël.

“Disa angazhohen në aktivitete kriminale dhe bëhen pre të lehta për organizata të ndryshme mafioze”, shpjegoi ai.

Pavarësisht vështirësive me të cilat të shumtë përballen, po aq besojnë se sakrificat ia vlejnë.

Në veri të Shqipërisë, Hajrie Uruçi ende e qan largimin e katër fëmijëve të saj drejt Belgjikës.

Në vitin 2015, Uruçi dhe i shoqi i saj u larguan me fëmijët e tyre pasi morën kërcënime. Ata kishin protestuar hapjen e një guroreje pranë shtëpisë së tyre.

Gjashtë muaj i shkuan në një kamp në Belgjikë. Prindërve, iu refuzuar kërsesa për azil. Fëmijët, ndërmjet dy dhe nëntë vjeç, i lanë me të afërm të tyre atje.

“Një prind nuk mund t’ia kthejë shpinën fëmijëve. Është një sakrificë e madhe por nuk kishim zgjidhje apo zgjedhje tjetër”, përshkroi ajo. “Sakrifikova dashurinë e një nëne për fëmijët”.

Që prej atij viti, fëmijët janë integruar në një komunitet lokal dhe janë me rezultate të shkëlqyera në shkollë.

“Perëndimi nuk është parajsa”, Uruçi shtoi. “Por është një parajsë e vogël, krahasuar me problemet në Shqipëri”. /albora.ch/

Marketing