Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se kanë ndarë 308 milionë dollarë ndihmë të re humanitare për Afganistanin.

Ky njoftim pason një apel të OKB-së për 5 miliardë dollarë për të ndihmuar Afganistanin dhe fqinjët e tij, ndërsa vendi po përpiqet të stabilizohet nga konfliktet dhjetra vjeçare pas rënies së vendit në duart e talebanëve prej gushtit të kaluar.

Udhëheqësit e agjencive humanitare të OKB-së paralajmëruan se gjysma e popullsisë së vendit përballet me urinë akute.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Emily Horne tha në një deklaratë se ndihma do të shpërndahej drejtpërdrejt nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tek “organizatat e pavarura humanitare”.

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tha të martën se fondet do të përdoren në mënyrë specifike për ndihma ushqimore, kujdesin shëndetësor dhe programet për të ndihmuar njerëzit të kalojnë dimrin, duke ofruar pajisje strehimi, batanije dhe rroba dimri.

Ndërkohë edhe Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) dhe agjencia e refugjatëve UNHCR bëri thirrje për të ndihmuar civilët që vuajnë brenda Afganistanit, që drejtohet tashmë nga një grup militant, ndaj të cilit luftuan dikur shumë vende donatore perëndimore e që ende vazhdojnë të jenë kundër tij.

Koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u largua në mënyrë kaotike nga Afganistani, ndërsa talebanët morën nën kontroll vendin dhe u kthyen në pushtet gjatë verës së vitit të kaluar.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi për një “katastrofë” të afërt në Afganistan dhe tha se 23 milionë njerëz, ose më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, kanë nevojë për ndihma humanitare.

“Një milion fëmijë nën moshën pesë vjeç do të përballen me kequshqyerje të rëndë dhe akute nëse nuk marrin ndihmë”, tha Martin Griffiths, kreu i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Zyrtarët e OKB-së kërkuan 4.4 miliardë dollarë për Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare dhe partnerët e saj, dhe 623 milionë dollarë për agjencinë e refugjatëve për të ndihmuar më shumë se 6 milionë afganë që kanë ikur jashtë vendit, ose rreth 15 për qind të popullsisë së përgjithshme të Afganistanit.

“Ky është apeli më i madh ndonjëherë për një vend të vetëm për ndihmë humanitare, dhe është trefishi i shumës së nevojshme dhe të mbledhur në fakt në vitin 2021”, tha zoti Griffiths.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, banorë të tjerë vazhdojnë të largohen nga vendi, ndërsa rreth 175,000 afganë janë kthyer në vend që nga koha kur telabanët morën pushtetin.

“Nuk duhet të harrojmë dimensionin rajonal të kësaj krize me refugjatët afganë. Një numër i madh refugjatësh afganë po qëndrojnë në vendet fqinje si Pakistani dhe Irani dhe vende të tjera të Azisë Qendrore”, tha Filipo Grandi, Komisoner i Lartë i OKB-së për refugjatët.

OKB-ja ka thënë vazhdimisht se afganët përballen me një nga krizat humanitare me rritjen më të shpejtë në botë, me një ekonomi në “rënie të lirë” dhe shkeljen e të drejtave të grave dhe vajzave.

Sipas Bankës Botërore, nëse mblidhen, fondet do të arrinin nivelin e rreth një të katërtës së prodhimit total ekonomik të vendit në vitin 2020, që llogaritej në më shumë se 20 miliardë dollarë./albora.ch/