Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Marketing

Më 13 tetor, pritet të nisë procedura që u jep fund këtyre aplikimeve, pasi që liberalizimi i vizave për Kosovën është në rend dite të diskutimeve të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Çështja e liberalizimit të vizave u përmend edhe në Raportin e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, të publikuar më 12 tetor. Aty përsëritet se Komisioni Evropian vlerëson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Por, shqetësim mbetet rreziku i keqpërdorimit eventual të lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19.

Sa kanë aplikuar kosovarët për viza Schengen ndër vite?

Numri i aplikimeve për viza për zonën Schengen ishte në rritje deri në vitin 2020. Atë vit, shkaku i COVID-19, shërbimet konsullare u kufizuan.

2016 – 77.796

2017 – 90.475

2018 – 90.840

2019 – 108.774

2020 – 24.566

2021 – 44.666

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit.

No description available.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

No description available.

Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Marketing