Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se vizitat e fundit shëndetësore që janë bërë në shkollat e Prishtinës kanë rezultuar se rreth 24 për qind e nxënësve janë me mbipeshë.

Marketing

Sadiku ka thënë të shtunën KTV se obeziteti te nxënësit po shkon duke u rritur.

Teksa ka folur për vizitat sistematike te nxënësit në shkollat e Prishtinës këtë vit, të cilat kanë hyrë në javën e dytë, Sadiku ka shpjeguar se përmes tyre synohet që të kuptohen problematikat dhe të ofrohen zgjidhje.

“Kemi hyrë në javën e dytë të vizitës sistematike te nxënësit e klasës së parë, pestë dhe nëntë, në të gjitha shkollat e Prishtinës. Janë rreth 10 mijë nxënës që përfshihen në këto vizita. Obeziteti po rritet. Në vizitat e fundit, sipas rezultateve para katër viteve ka qenë gjendja e pakëndshme, diku rreth 24 për qind e këtyre moshave kanë pasur mbipeshë dhe obezitet. Rritja e njerëzve me mbipeshë krijon kushte për paraqitjen e sëmundjeve të tjera”, ka thënë Sadiku.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të rritet debati për problematikat e ndryshme shëndetësore te nxënësit, në mënyrë që ato të evitohen në të ardhmen dhe fëmijët të kenë jetë të shëndetshme.

Marketing