Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencën për media mbi temën: “Prezantimi i raportit të monitorimit të Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë Janar – Dhjetor 2021”.

Marketing

Në konferencë, Drejtësia Sot shpalosi të gjeturat e raportit “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë Janar – Dhjetor 2021”.

Drejtësia Sot, përgjatë kësaj periudhe monitorimi ka vlerësuar si shumë pozitive rritjen e numrit të rasteve ku janë shqiptuar dënime plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilat Drejtësia Sot ka rekomanduar në vazhdimësi.

Aty u tha Gjykata Themelore (GjTh) në Pejë ka shqiptuar numrin më të madh të dënimeve plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, dhe atë në 4 raste, pastaj vie GjTh në Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë me nga 2 raste, ndërkaq që GjTh në Prishtinë, dhe Prizren me nga një rast. E vetmja gjykatë në nivel vendi e cila nuk ka shqiptuar dënim plotësues gjatë kësaj kohe ishte GjTh në Ferizaj”.

Si problematikë sipas GLPS-së mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, e sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara në këtë drejtim.

Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2021 kanë pasur në punë 214 lëndë ndërsa kanë arritur të zgjedhin vetëm 40 lëndë të kësaj natyre, do të thotë nuk kanë arritur që të zgjedhin as 1/5 e lëndëve që e kanë pasur në punë.

Gjykata Themelore në Prizren ka zgjidhur 23 nga 43 lëndë që ka pasur në punë, Gjykata Themelore në Pejë ka zgjidhur 14 nga 33 lëndët që ka pasur aktive, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka zgjidhur 13 nga 48 lëndët aktive, Gjykata Themelore në Ferizaj ka arritur të zgjidh 10 nga 24 lëndët që ka pasur në punë, Gjykata e Gjilanit ka zgjidhur 16 nga 39 lëndët aktive kurse Gjykata në Gjakovë ka arritur të zgjidh 13 nga 22 lëndët që ka pasur në punë.

Nga kjo vërejmë që në raportin mes lëndë aktive dhe atyre që janë zgjidhur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka pasur shkallë më të lartë të efikasitetit. Kurse, bazuar në të dhënat e monitorimit të GLPS/Drejtësia Sot, në vitin 2022, gjykatave të shkallës së parë i janë trashëguar 294 lëndë të korrupsionit, duke mos përfshirë këtu lëndët e reja që do të pranohen gjatë këtij viti.

Marketing