Kryeministri Edi Rama ka dhënë disa shifra që tregojnë rritjen ekonomike në vend krahasuar me 2019-ën duke nënvizuar se kanë pësuar rritje rekord që nga të ardhurat për banorë në vit e deri te eksportet që në 2022-in kanë kapur shifrën e 4.1 miliardë eurove. Shifrat Rama i tha gjatë një konferencetë përbashkët me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri.

Marketing

“Do ju jap shumë pak shifra për ilustrim, mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3300 euro kur ne morëm detyrën në 6190 euro sot. 87,5%, gati dyfish dhe për të mos bërë krahasime të tjera me kur morëm detyrën, po bëjmë krahasime vetëm me veten dhe vitin përpara krizës së madhe të pandemisë dhe gjithë atyre që pasuan. Eksportet në Shqipëri në vitin 2022 kanë arritur 4.1 miliard euro, shifër rekord.

Pra kjo Shqipëria që s’ka punë e ku të gjithë ikin e ku kanë mbetur vetëm pleq, ka eksportuar 57% më shumë se në 2019-ën, falë punës dhe njerëzve të punës dhe falë konkretizimit të të gjithë atyre përpjekjeve në mbështetje të sipërmarrjes dhe për të hapur rrugë të reja për njerëzit që prodhojnë e eksportojnë.

Eksportet bujqësore janë rritur me 59% krahasuar me 2019-ën dhe kanë prekur shifrën gjysmë milliard dollarë. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 1.15 miliardë. Të ardhura vjetore nga turistët e huaj në 2022 janë 2.84 miliardë euro, 36% më shumë se në 2019. Ndërkohë që numri i turistëve preku 7.5 milionë, rritja e të ardhurave dy herë më shumë sesa numri i vizitorëve se kjo është shumë e rëndësishme.

Tregon se është rritur numri i ditëve të qëndrimit dhe konsumi i tyre në vend. Të ardhurat vjetore nga eksporti i shërbimeve në IT, në 2022-in 156 milionë euro. 62% më shumë se në 2019-ën, dhe investimet e huaja direkte në 2022 janë rritur me 29%, 1.37 miliardë që është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë.

Rritja ekonomike pastaj në shifra, ju e dini. Në fund dua të falenderoj dhe njëherë Bankën Botërore për gjithë mbështetjen e saj në të gjitha vitet, në mënyrë të posaçme për këtë proces të përfunduar tani. Është procesi më i thelluar në çdo detaj, për të realizuar të gjitha ato pika të jetës ekonomike e sociale të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese. Në fund të vitit 2019 në Shqipëri kanë qenë 4270 ndërmarrje me kapital 100% të huaj, në fund të 2021-it kanë operuar 5250 ndërmarrje”, tha Rama.

Marketing