Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, gjatë një konference për media ka thënë se rreth 6 milionë euro janë ngrirë.

Marketing

Maloku ka theksuar se janë konfiskuar edhe prova materiale, vetura e armë.

“Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha Maloku.

“Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”.

“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjeture në shtëpitë e tyre”.

Ndërkohë, kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, ka theksuar se janë ndaluar për 48 orë, Bedri Halimi kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku,

“Janë bastisur 9 lokacione në 3 komuna. Gjatë kësaj bastisje janë sekuestruar prova materiale. Me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë kryeinspektori Bedri Halimi dhe ish sekretari Arben Çitaku”, ka potencuar Jashari.

Sipas shefit të hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, pesë persona janë në kërkim.

“Katër persona të arrestuar, një i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, tre janë në mbajtje për 48 orë. Pesë janë në kërkim policorë. Gjatë hetimeve në xhirollogaritë bankare të dyshuarve kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86,146 dollarë”, pohoi Jashari.

“Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova: 1 veturë, armë, fishekë, karikatorë, shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, uniformë me mbishkrimin Policia e ish-sistemit jugosllav ose serb, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”.

Ndryshe në aksionin e policisë të koduar si “Brezovica” janë arrestuar shtatë persona, përfshi dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Me gjashtë janar, policia e Kosovës ka vazhduar operacionin “Brezovica”, i cili lidhet me ndërtimet në Brezovicë.

Në kuadër të këtij aksioni është bastisur edhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

Më 21 dhjetor, Policia kishte zhvilluar një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet. /albora.ch/

Marketing