Marketing

Dikur një komedian pa eksperiencë në fushën e politikës, por sot 3 vjet pas zgjedhjes si president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po dëshmon se është një udhëheqës i denjë lufte.

Ai diplomoi për Drejtësi në Universitetin Ekonomik Kombëtar të Kievit.

Në vitin 2010 bëhet “yll televiziv” në Ukrainë, me serialin “Servant of the People” (Shërbëtori i popullit), ku në këtë serial, ai luan rolin e një mësuesi të shkollës së mesme, që ishte lodhur me politikanët e korruptuar dhe bëhet aksidentalisht president.

Për koicidencë vetëm pak vite pas bujës së këtij seriali, Zelensky u zgjodh me të vërtetë president i Ukrainës. Ai i premtoi popullit ukrainas se do të eliminonte pushtetin e oligarkëve të korruptuar, që kontrollonin Ukrainën që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Partia e tij u quajt po njësoj si seriali, “Shërbëtori i Popullit”.

Zelensky u përfshi në politikën e SHBA-së pasi u pretendua se Trump u përpoq ta detyronte atë të hetonte rivalin demokrat Joe Biden mbi marrëveshjet e biznesit në Ukrainë. Presidenti Zelensky refuzoi të kritikonte telefonatën e zotit Trump, duke thënë se nuk donte të përfshihej në politikën e një vendi tjetër.

Ukraina me zgjedhjen e Zelensky në 2019, u bë i vetmi vend përveç Izraelit me një president dhe kryeministër hebre.

Por, si nisi konflikti me Putin?

Zelensky bëri fushatë elektorale me premtimin se mund të negocionte paqen me Rusinë, e cila kishte aneksuar Krimenë nga Ukraina dhe u dha formë dy rajoneve separatiste pro-ruse në vitin 2014, duke shkaktuar një konflikt të ngrirë që mendohet se mori jetët e mbi 14 mijë personave.

Edhe pse u realizua një shkëmbim të burgosurish, këmbëngulja e Putin që Ukraina t’i largohej Perëndimit u bë edhe më intensive.

Zelensky këmbënguli në shtytjen për anëtarësim në BE dhe aleancën ushtarake të NATO-s, një veprim që ishte i detyruar të zemëronte presidentin rus.

Çfarë po ndodh tani?

Një moment kyç në transformimin nga një lider që dështonte në votime, në një figurë kombëtare erdhi në orët e para të së enjtes, pak orë përpara pushtimit të Rusisë.

Zelensky tha se ishte përpjekur të telefononte Vladimir Putin për të shmangur një luftë dhe si shkëmbim kishe marrë vetëm heshtje.

Të dy vendet nuk kishin nevojë për një luftë, “as për një luftë të ftohtë, një luftë të nxehtë, një luftë hibride. Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën”.

Menjëherë pas kësaj filloi pushtimi, ai paralajmëroi udhëheqësit perëndimorë se nëse nuk ofrojnë ndihmë, atëherë nesër “lufta do të trokasë në dyert tuaja”.

Presidenti ka regjistruar edhe mesazhe të tjera për të theksuar se ai nuk do të shkojë askund, por do të qëndrojë për të mbrojtur Ukrainën.

Pas një oferte nga Shtetet e Bashkuara për ta larguar drejt një vendndodhjeje më të sigurt, Zelensky u përgjigj të shtunën: “Kam nevojë për municion, jo për transport”.

Ndërkohë, inteligjenca perëndimore pretendon se Zelensky është i pari në listën e njerëzve që forcat ruse synojnë të vrasin. 

“Lufta e ka transformuar ish-komedianin nga një politikan lokal me iluzione madhështie në një burrë shteti të mirëfilltë,” shkruante të premten Melinda Haring e Qendrës për Euroazinë në Këshillin e Atlantikut. “Ai ka demonstruar guxim të madh, ka refuzuar të fshihet në strehime, duke zgjedhur të qarkullojë hapur me ushtarët dhe një patriotizëm të palëkundur që jo shumë vetë e e prisnin nga dikush rusishtfolës nga Ukraina lindore. E meriton të vlerësohet. Ai ka qenë i palëkundur.”/albora.ch/

Marketing