Kosova dhe Shqipëria janë bërë sot bashkë për të kapur policët kufitarë që dyshohet se keqpërdornin detyrën zyrtare e pranonin ryshfet. Në dy anët e kufirit, ka pasur të arrestuar. Numri i atyre që kanë përfunduar në pranga është rreth 60.

Marketing

Dyshimet se policët kufitarë po e keqpërdorin detyrën zyrtare, duke pranuar ryshfet, i kanë dërguar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale në Vërmicë.

Me mëngjes, ata kanë nisur aksion atje, i cili ka përfunduar me 26 të arrestuar.

Në pranga janë vënë edhe dy rreshterë. Për ta, tashmë është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës.

Për aksionin e sotëm, Inspektorati dhe Policia kanë deklaruar se janë duke hetuar qe rreth një vit.

Deklarojnë se hetuesit i kishin pranuar informacionet për ta muaj më parë. Pas informacioneve të marra, në hetim ishin përfshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit.

“Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë.

Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale”, thuhet në deklaratën e përbashkët të IPK’së.

Ky aksion ka qenë vazhdimësi e aksionit “Pika 1”, që është realizuar para tri javësh. Në atë aksion, ishin arrestuar mbi 50 zyrtarë policorë.

Dyshimet ishin se ata pranonin ryshfet deri në 400 euro.

Për aksionin e sotëm është bashkëpunuar edhe me autoritetet e Shqipërisë. Edhe atje janë arrestuar dhjetëra policë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, janë arrestuar 32 zyrtarë policorë. Është arrestuar edhe Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës.

Ata dyshohen se favorizinonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, i ndihmonin për ta kaluar kufirin personat që kishin problem me ligjin e vepra të tjera.

17 prej tyre janë në dërguar në mbajtje, 14 në arrest shtëpie dhe 3 janë pezulluar nga detyra./albora.ch/

Marketing