Për shkak të tensioneve të rritura mes NATO-s dhe Rusisë për Ukrainën, ushtria suedeze tha sot se do t’i shtojë aktivitetet e dukshme në ishullin e Detit Baltik, Gotland. Ishulli më i madh suedez, Gotland, është i rëndësishëm në aspektin strategjik dhe shtrihet vetëm rreth 330 kilometra nga Kaliningradi, ku ndodhet selia qendrore e Flotës së Baltikut të ushtrisë ruse. Më 2019, Suedia vendosi në këtë sihull një sistem të përditësuar të mbrojtjes tokë – ajër.

Marketing

Zëdhënësi i regjimentit të Gotland-it, Tomas Angshammar tha se nga sot, do të ketë patrullime jashtë, të cilat do të jenë të dukshme në vende të caktuara, përfshirë qytetin Visby.

Edhe pse Suedia nuk është anëtare e NATO-s, por ka marrëdhënie të ngushta me aleancën dhe e ka përforcuar ushtrinë pas disa dekadave neglizhencë në kohën e shtimit të ankthit rreth paraqitjes së forcës nga Rusia në rajonin e Detit Baltik.

Stokholmi viteve të fundit është ankuar rreth disa incidenteve me aeroplanë ushtarakë rusë, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore të Suedisë, shkruan Reuters.

Javën e kaluar komandanti i përgjithshëm i ushtrisë suedeze tha se strategjia e sigurisë e vendit të tij do të minohej tërësisht, nëse NATO-ja pajtohet që të përmbahet nga zgjerimi i mëtejmë dhe t’i pakësojë disa nga aktivitetet në Evropë, siç ka kërkuar Rusia. /albora.ch/

Marketing