Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë tha të mërkurën se trupat e 12 emigrantëve të ngrirë nga acari janë gjetur afër kufirit të Turqisë me Greqinë, duke i akuzuar rojat kufitare greke se i kanë kthyer emigrantët.

Marketing

Ministri turk, Suleyman Soylu, tha se 12 emigrantët që u gjetën të vdekur ishin pjesë e një grupi prej 22 personave që u kthyen në Turqi nga rojat kufitare greke. Ai shtoi se emigrantët u gjetën afër pikëkalimit kufitar të Ipsala-s “pa këpucë dhe me rroba të hequra”.

Zyrtari i lartë turk nuk dha hollësi të tjera, por paraqiti fotografi të tetë trupave, përfshirë tre që ishin me pantallona të shkurtër dhe bluza me mëngë të shkurtra, shkruan Associated Press.

“BE-ja është e pashërueshme, e dobët dhe boshe nga ndjenjat njerëzore”, thuhet mes tjerash në postimin e ministrit turk në Twitter.

Zyra e guvernatorit të provincës Edirne, afër kufirit tokësor të Turqisë me Greqinë, tha se në mesin e të vdekurve është një emigrant që vdiq në spital, pasi u shpëtua fillimisht nga autoritetet turke.

Turqia shpesh e akuzon Greqinë fqinje për kthim të paligjshëm të emigrantëve, që duan të arrijnë në Evropë. Greqia i mohon këto akuza se kryen kthim të emigrantëve, që u pamundëson aplikim për mbrojtje ndërkombëtare.

Marketing