Nga 1 prilli pritet të shtrenjtohen tarifat e energjisë elektrike për 14 për qind, kështu ka thënë kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, i cili ka theksuar se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i raportit konsultativ ende nuk është final.

Marketing

Kryesuesi i ZRrE-së, Fejzullahu ka thënë se vendimi për tarifat e reja merret deri në fund të marsit, tek pas komenteve nga Qeveria, Zyra e Presidencës dhe institucionet tjera relevante.

Ai më tej ka thënë se në rast se ka komente të arsyeshme nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë.

“Drafti për rritje është rreth 14 për qind, propozimi i stafit, mirëpo ende nuk është bërë vendim. Por, pritet që brenda këtij muaji me u shndërruar në vendim. Kështu që propozimi nga ana e stafit është rreth 14 për qind”.

“Ne duhet edhe një herë t’i shqyrtojmë komentet, pasi t’i shqyrtojmë. dalim me përgjigje ndaj këtyre komente me një raport final, edhe pastaj shndërrohet në vendim, por ende nuk është ai vendim i bordit brenda këtij muaji dhe hyn në fuqi prej 1 prillit. Por, pa i ditur komentet, që për këtë kanë të drejtë qeveria, kuvendi, Zyra e Presidentit, këto institucione kanë të drejtë me i dërguar komentet. Në rast se ka komente të arsyeshme, ne duhet me i marrë parasysh. Nëse s’ka komente të arsyeshme mundet me mbetur i njëjti vendim”, ka deklaruar Fejzullahu.

Sipas Fejzullahut, ky propozim për shtrenjtim ka ardhur për arsye se ende çmimet e importit për energji mbesin të larta.

Ai ka treguar edhe kërkesën e kompanisë KESCO, me ç’rast ka thënë se propozimi i tyre për shtrenjtim të tarifave të energjisë ka qenë rreth 50 për qind.

“Propozimi i KESCO-s është për afërsisht 50 për qind, mirëpo ky propozim ka qenë kur çmimet e importit kanë qenë më të larta. Por, kryesore tani është se çmimet prapë kanë mbetur mbi 250 euro për një megavat orë energji. Për me qenë situata më norma çmimi duhet me qenë diku 50 deri 60 euro. Kështu që është trefishi i çmimit normal”, ka theksuar ai.

Marketing