Në Prishtinë më 9 qershor po mbahet Parada e gjashtë e Krenarisë me moton “Edhe n’shtet, edhe n’familje”.

Marketing

Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe mbështetës të komunitetit LGBTIQ+ marshuan në rrugët e kryeqendrës së Kosovës.

Java e Krenarisë nisi më 6 qershor në Kosovë dhe përgjatë javës janë mbajtur një sërë aktivitetesh për evokimin e të drejtave të këtij komuniteti.

Motoja “Edhe n’shtet edhe n’familje”, sipas aktivistëve, pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ si në shtet ashtu edhe në familje.

Parada e sivjetme po mbahen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës nuk ka mbështetje për Projektkodin e ri Civil, i cili hap mundësinë e hartimit të një ligji për regjistrimin e bashkësive civile midis personave të gjinisë së njëjtë.

Në Projektkodin Civil nuk u definua se çfarë është bashkësi civile. Por, megjithatë, aty shkruhej se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Pikërisht neni që fliste për këtë u bë shkak i mosmiratimit të Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit mars.

Kundërshtarët e bashkësisë civile në Kuvend si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Kosovë, kanë argumentuar se një gjë e tillë do të ripërkufizonte konceptin e familjes dhe martesës.

Ministria e Drejtësisë, si sponsorizuese e Projektkodit, ende nuk e ka ridërguar atë në Kuvend, edhe pse kishte paralajmëruar një gjë të tillë.

Në Projektkodin Civil, që nuk kaloi, thuhej se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Organizatat që përfaqësojnë të drejtat e LGBTIQ+ kishin mirëpritur mosmiratimin e Projektkodit Civil, në versionin siç ishte, duke insistuar në mundësinë e lejimit të martesës.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Nga organizatat që merren me të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ kanë paralajmëruar se nëse versioni i ri i Projketkodit Civil nuk rregullon martesat midis gjinive të njëjta, atëherë ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për opinion.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë.

Marketing