Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku ka kërkuar të dhënat mbi hetimet e nisura nga policia për vrasjet e pazbardhura në vend.

Marketing

Kur kemi hyrë në muajin e nëntë të këtij viti, numërohen gjithsej 38 vrasje me 44 viktima në total. 10 prej tyre janë krime brenda familjes ndërsa janë zbardhur 25 ngjarje e 13 të tjera mbeten pa autor.

Për këtë Drejtori i Përgjithshëm mësohet se ka kërkuar nga drejtoritë vendore të qarqeve informacion mbi krimet e pazbardhura ndërsa qarku më problematik është ai Shkodrës me 9 krime të regjistruara.

Harta e vrasjeve është kjo ndërsa shumica e qarqeve në vend kanë të regjistruara krime kundra jetës veç Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës në të cilat nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e rëndë.

Rekordin e mban Shkodra ,Tirana, Vlora, por edhe Fieri ndërsa vrasjet e tipit mafioz edhe sot nuk kanë autor.  Vetëm përgjatë këtij viti në Tiranë janë të pazbardhura vrasja e Erion Çelës, Iljaz Calit dhe Aleksandër Sadikajt.

Në Shkodër, nuk ka autorë për ekzekutimet e Nazmi Bandulës, Naim Bajrit dhe Lulash Qepurit. Asnjë nuk përfundoi në pranga as për vrasjen e Arben Mërkurit e Petraq Gjikës apo vrasjen e 3-fishtë të Fushë-Krujës.

Histori pa emra të dyshuarish janë dhe vrasja e Klisman Precit, Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos. Të vetmet arrestime janë ato të krimeve brenda familjes të cilat cilësohen si të zbardhura.

Marketing