Derisa numri i viktimave nga tërmeti në Turqi vjen duke u rritur – aktualisht mbi 5 mijë – institucionet e Kosovës konfirmojnë se, tash për tash, në mesin e tyre nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.

Marketing

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti, mëngjesin e 6 shkurtit.

“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thanë nga MPJD-ja, pa dhënë më shumë detaje.

Dje ka folur Sekretari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Genci Fazlia, i cili bashkë me një ekip mundësish ndodheshin në qytetin Kahramanmarash të Turqisë, kur u godit nga tërmeti.

“Të gjitha objektet përreth nesh u shkatërruan, vetëm objekti jonë mbeti në këmbë, ai hoteli ku ishim ne të vendosur. Kemi qenë në rrezik. Rrëzoheshin objektet. Dy ndërtesa nga 20 kate u rrëzuan afër nesh këtu”.

“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa dikur u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi dhe u desh të largohemi”, tha Fazlia.

Ekipi i mundjes i Kosovës, i drejtuar nga trajneri Ziber Xhoni, mundësit Fatlum Beka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni, si dhe sekretari i Federatës së Mundjes, Genci Fazlia, ndodheshin në Turqi për të marrë pjesë në turneun “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.

Fazlia konfirmoi për REL-in se ata, aktualisht, ndodhen në Stamboll dhe se presin që mbrëmjen e 7 shkurtit të udhëtojnë me avion drejt Shkupit të Maqedonisë së Veriut.

Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.

Ambasada e Kosovës në Turqi, ndërkaq, hapi dy numra emergjentë për qytetarët e Kosovës, në rast se u duhet ndihmë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

Marketing