Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër Hatim Berishës dhe Zaim Domazetit, të cilët dyshohen se për disa muaj arritën të përfitonin rreth 5 mijë euro duke i mashtruar qytetarët kinse për pajisje me viza pune në Gjermani e Kroaci.

Marketing

Ata shfrytëzuan biznesin e tyre të quajtur “Timi & Zaimi”  në Prizren, përmes të cilit dyshohen se kanë mashtruar së paku 12 qytetarë.

Sipas aktakuzës me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë dhe vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit: L.K., P.F.,V.S., S.T., Gj.S., E.K., Sh.S., E.F., J.D., K.Sh., D.J., dhe F.K., që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, i është propozuar Gjykatës që t’i urdhërojë të akuzuarit për të paguar shuma të barasvlershme ndaj të dëmtuarve, ose nga të njëjtit të konfiskojë çdo pasuri me vlerë të barasvlefshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./albora.ch/

Marketing