Tremujori i tretë i vitit ka shënuar një rënie të ndjeshme të vdekshmërisë. Instat raporton se 5 130 persona kanë humbur jetën në periudhën korrik-shtator, duke u ulur me gati 20% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të shkuar.

Marketing

Por, sërish niveli i vdekshmërisë vijon të mbetet i lartë krahasuar me një tremujor për parë, por edhe me nivelet e para pandemisë. Në të njëjtën periudhë të vitit normal 2019, ky tregues llogaritej ndjeshëm më i ulët me vetëm 2687 vdekje.

Në 11 qarqe të vendit janë shënuar më pak jetë të humbura se kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021, ku ai i Kukësit shënon numrin më të ulët të vdekjeve, ndërsa Tirana rezulton qarku me vdekshmërinë më të lartë.

Të njëjtin trend në rënie ka ndjekur edhe numri i lindjeve duke u tkurrur me 19.6% krahasuar me tremujorin e tretë 2021, fenomen që është evidentuar në të gjitha qarqet e vendit. 6.172 foshnja kanë lindur në këtë periudhë, mbi 1600 më pak se vjet. Gjirokastra ka regjistruar edhe numrin më të ulët të lindjeve, vetëm 90 foshnja të ardhura në jetë.

Megjithatë, në raport me një tremujor më parë tendenca e lindshmërisë ka qenë pozitive duke regjistruar gati 788 lindje më shumë.

Në tremujorin e tretë shtesa natyrore e popullsisë, pra diferenca mes lindje-vdekje ka rezultuar pozitive, pasi Instat raporton për 1042 lindje më shumë se vdekje në këtë periudhë. Kjo vetëm për gjysmën e qarqeve, pasi në 3 qarqe të tjera vdekjet kanë tejkaluar lindjet, ku Korça rezulton edhe qarku me shtesën natyrore më të ulët, me 139 vdekje më shumë se lindje. Arsyet e këtij raporti negativ është se të rinjtë nuk po krijojnë më familje në Shqipëri dhe po largohen ne emigrim. Në këtë mënyre numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm në ato qarqe që kanë edhe emigrimin më të lartë bëhet fjalë për Korçë, Vlorën dhe Gjirokastrën.

Marketing