Libri i fundit i sociologut Dr. Ferd Kamberi, ‘Komunikim politik me publikun” është një libër që në fokus ka komunikimin politik më publikun. Autori ka dashur që të sjellë më afë gjithë neve qasje më të lehtë për mënyren e duhur të komunikimit, duke shtjellu kështu mungesën e kulturës së komunikimit me publikun, i cili shpeshherë në diskurset sociale ka marr konotacione negative, duke u shndërruar më shumë si ‘arenë’ e fyerjeve ndërpersonale në mes të politikaneve sesa që është fokusuar në mesazhin dhënë qytetarit.

Marketing
Dr. i socilogjisë Ferdi Kamberi

Intervista e plotë:

Albora.ch: Në lidhje me librin, na folni diçka më shumë për këtë libër që përfshinë komunikimin?

Ferdi Kamberi: Libri me titull ‘Komunikim politik me publikun – metodat dhe teknikat efektive për një sukses në zgjedhjet politike’ është libri im i tretë, i cili fokus të veçantë ka komunikimin, sidomos atë politik me publikun. Ideja e librit vjen si rezultat i mungesës së kulturës së komunikimit me publikun, i cili shpeshherë në diskurset sociale ka marr konotacione negative, duke u shndërruar më shumë si ‘arenë’ e fyerjeve ndërpersonale në mes të politikaneve sesa që është fokusuar në mesazhin dhënë qytetarit. Andaj, ky libër lidhet më shumë me sociologjinë e komunikimit dhe sociologjinë politike, njëherit është edhe udhëzues për të rinjtë dhe të rejat, politikanët e rinj, organizatat e shoqërisë civile, profesorët, komunitetin, studentët, si dhe shoqërinë e gjerë. Pra, libri flet për detaje të komunikimit nga këndvështrimi sociologjik dhe detaje tjera të cilat kanë rol dhe rëndësi gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, komunikimit politik, tipologjisë së kulturës së komunikimit, të folurit në publik, marrëdhënieve me publikun, si dhe çështje relevante. Gjithashtu, libri është një udhëzues i cili ju shërben partive politike, politikanëve, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, studiuesve, si dhe të gjithë qytetarëve dhe profesionistëve që duan të jenë të pranueshëm dhe ta bëjnë publikun për vete.

Libri është i ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë foku¬sohet në komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun, përkatësisht në ontologjinë e zhvillimit të komunikimit, rolin dhe rëndësinë, tipologjinë, elementet e komuni¬ki¬mit, kulturën e komunikimit, edukimin media, si dhe barrierat gjatë komunikimit. Pjesa e dytë trajton partitë politike dhe edukimin politik, respektivisht raportin mes demokracisë dhe pluralizmit politik, partitë politike dhe kulturën politike, tema këto goxha aktuale edhe në mjediset tona sociale. Gjithashtu, vend kanë zënë edhe temat si: roli i komunikimit politik me qytetarë, komunikimi dhe gjuha e trupit përfshirë këtu shembujt e ilustruar sipas studimeve të fundit, kodi i veshjes në politikë dhe psiko¬logjia e ngjyrave, nuancave dhe pasqyrimi para publikut, si dhe të folurit në publik dhe hapësirat ndërpersonale, të cilat paraqesin një rol të rëndësishëm gjatë komunikimit me qytetarë. Në pjesën e tretë dhe të fundit, libri zgjerohet më shumë nga analizat dhe sugjerimet përkitazi me organizimin e fushatës zgjedhore dhe krijimin e model-planit të aktiviteteve, të nevojshme për partitë politike dhe pluralizmin partiak. Në këtë pjesë, rol me rëndësi kanë temat rreth zgjedhjeve dhe fushatave zgjedhore si teste për demokracinë, ekipin për fushatën zgjedhore, rolet dhe përgjegjësitë, metoda stuhi mendimesh (brainstorming) si diçka e nevojshme gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, pastaj hapat për planin e fushatës, përfshirë këtu: hulumtimet e ndryshme dhe relevancën e tyre, vendosjen e qëllimeve të fushatës, audiencën e synuar, zhvillimin e mesazheve të fushatës, sloganet e partive politike në vendet e zhvilluara dhe kompara¬cio¬net me Kosovën, kontaktimi i votuesve nga partitë politike, rëndësia e mbrojtjes së votës, si dhe “metaversi” dhe e ardhmja e fushatave zgjedhore. Recensentët të librit janë: Prof. Dr. Bekim Baliqi dhe Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni, redaktor Arsim Murseli, lektore Medina Mehmeti, disejni është bërë nga Bardh Abazi dhe libri është publikuar nga shtëpia botuese Libraria Albas Prishtinë. Librin pjesërisht e ka financuar komuna e Prishtinës kuadër të departamentit të kulturës.

Albora.ch: Si e vlerësoni një titull tjetër në karrierën tuaj prej sociologu?

Ferdi Kamberi: Titulli i librit lë të kuptohet se ai ndërlidhet me disa metoda dhe teknika bashkëkohore, sidomos nga vendet e zhvilluara, të cilat mund të jenë model për fuqizimin dhe rritjen e kulturës së diskursit në vendin tonë, pastaj rolin e akterëve kyç gjatë fushatës zgjedhore, karakteristikat, gjuhën e trupit, të folurit në publik, teknikat dhe metodat bashkëkohore për organizimin dhe planifikimin e fushatës zgjedhore, rolin e mediave sociale, si dhe çështje tjera të cilat e bëjnë librin si libër të vecant nga prizmi i sociologjisë së komunikimit dhe asaj politike.

Albora.ch: Sa është ky libër aktual, dhe a lidhet edhe me çështjet politike në vend?

Ferdi Kamberi: Konsideroj se ky libër është aktuale, njëherit është udhëzues për të gjithë akterët apo qytetarët që kanë apetite drejt një karriere politike, kjo për shkak se libri përveç shqyrtimit të literaturës bashkëkohore e cila për fat tek ne mungon sidomos në këtë drejtim, libri përfshinë edhe një hulumtim me një mostër prej 350 respodentëve e cila është realizuar përmes mjeteve virtuale në kohën e pandemisë së Covid 19 dhe e cila fokus ka disa pyetje, të cilat janë përgjigjur qytetarët, sidomos pyetjet: Cili është roli i komunikimit, në veçanti atij politik? Sa ndikon kultura e debatit në formësimin dhe ngritjen/ uljen e një politikani/e? Çfarë thonë studimet rreth kombinimit të ngjyrave të politikanëve me famë botërore ose çfarë sinjali japin ato? Çfarë thonë për gjuhën e trupit? Si duhet të përgatitemi për një fushatë zgjedhore? Cila është domethënia e sloganeve të partive politike, përfshirë Kosovën? A kanë rëndësi ngjyrat dhe sloganet? Cili është ekipi fitues i fushatës zgjedhore dhe në çka duhet të fokusohet ai? Cila do të jetë e ardhmja e fushatave zgjedhore në epokën e “metaversit?. Të gjitha këto pyetje tregojnë se libri ka ngacmuar çështjet aktuale politike në vend, duke marrë shembuj nga vendet e zhvilluara dhe dukë gërshetuar apo vendosur si modele të cilat mund të jenë të mirë se ardhura për Kosovën e cila si shtet ende si duket është në tranzicion. Prandaj, ky libër është një udhëzues i mirë i cili mund t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve, akterëve politikë, organizatave të shoqërisë civile, shkollave politike dhe atyre të komunikologjisë, studentëve, si dhe profesionistëve tjerë që merren me këtë profil. E veçanta e këtij libri është se libri është i bazuar kryesisht në literaturën e re bashkëkohore dhe gërshetimi me një hulumtim i cili shpalos perceptimet/vlerësimet/qëndrimet e qytetarëve të Kosovës vetëm sa e ngrit në piedestale librin në fjalë. Por, është lexuesi/sja ai/ajo e cila do të thotë fjalën e fundit nga aspekti kritik pas shfletimit të këtij libri, sepse vlerësimet e lexuesve, neve na japin motiv për të ecur më tutje dhe për të krijuar vlera kulturore dhe sociale për të cilat sot kemi mese nevojë. 


Albora.ch: Aktualisht çka mendon në çfarë situate gjendemi ne si shoqëri?


Ferdi Kamberi: Si shoqëri jo vetëm ne, por edhe vendet e rajonit, ballafaqohen me një demokraci të brishtë e cila në disa raste shpërfaq mungesë të kulturës demokratike dhe kjo vërehet dukshëm gjatë diskursit social në media, sidomos gjuha e cila shpeshherë denigruese, është gjuhë seksiste, madje shpeshherë në media dominojnë burrat sesa gratë, mungon një analizë e mirëfilltë politike nga këndvështrimi sociologjik, kodi i veshjes nuk është në përputhje me nivelin e diskursit, diskurset sociale qoftë nga politikanët apo akterët politikë nuk përkon me parimet dhe integritetin e një politikani/e, qëndrimet dhe sjelljet etike gjatë debateve publiket janë të zbehta, etj. Të gjitha këto tregojnë se ende ka nevojë për zhvillime, sidomos zhvillimin e kulturës demokratike për të cilën si shoqëri kemi nevojë, sidomos modelet e vendeve perëndimore të cilat kanë krijuar goxha moti këtë kulturë dhe të gjitha këto probleme me të cilat ne ballafaqohemi ata pothuajse i kanë kaluar qysh herët.

Albora.ch

Marketing