Kryeministri, Albin Kurti, ka deklaruar se për të pasur “Ballkan të Hapur”, Serbia është ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës.

Marketing

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit si dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.

Në një deklarim për gazetarë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, shefi i ekzekutivit ka thënë se fati i Kosovës është në Bashkimin Evropian.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbehet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi dhe qoftë ajo vizitë tek të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, apo ka për të kaluar transit në atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, e nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike.

Kryeministri Kurti ka thënë se kërkohet që Serbia të ndryshojë, në mënyrë që Ballkani të jetë i qetë e demokratik.  

“Është Serbia që duhet të ndryshojë që Ballkani të jetë demokratik paqësor dhe i sigurt. Ne e flasim të vërtetën e të drejtën. Jemi të bindur se rruga e duhur është që po ndjekim ne. Kur ka iniciativa të tilla duhet të shikojmë se a janë të gjitha anëtarët pjesëmarrës. 6 shtete janë të barabarta në procesin e Berlinit”, tha tutje Kurti.

Foto: Ekonomia online

Marketing