Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ashtu që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Marketing

Ai e ka bërë këtë deklaratë në seancën e Kuvendit, teksa jashtë ndërtesës kanë qenë duke protestuar veteranët, si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor.

Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Kurti ka thënë se Qeveria ndan rreth 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, dhe se kjo shifër është më e madhe sesa ajo që ndahet për sigurinë e vendit.

“Unë nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e luftës së UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë për numrin e tyre. Ky është një debat që zhvillohet në shoqërinë tonë, që natyrisht zhvillohet edhe në Kuvend”, transmeton REL.

Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me kategoritë e dala nga lufta “për të arritur te numri i vërtetë i veteranëve”.

“Konsiderojmë që pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UK-së është i fryrë, dhe ky është gabim edhe për historinë që do t’iu mësohet fëmijët në brezat e ardhshëm, sepse është diçka e pavërtetë”.

Si nisi protesta?

Protestuesit kanë arritur të hyjnë në oborrin e Kuvendit pas shtyrjeve me forcat e Policisë së Kosovës, derisa në hyrje të këtij institucioni janë pozicionuar njësitet speciale.

“Këta deputetë që shkelin ligje, që shkelin Kushtetutë, nuk e kanë vendin këtu”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, para ndërtesës së​ Kuvendit, duke bërë thirrje për tërheqje të Projektligjit.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona, që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë”.

Klinaku është zotuar për dërgim të projektligjit – nëse hyn në fuqi – edhe në instanca më të larta.

“Ne jemi gati që nëse ligji hyn në fuqi, ju garantoj se ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, dhe 100 për qind jemi të sigurt që Gjykata Kushtetuese do ta konstatojë​ se këta shkelin ligje”.​

Ai ka paralajmëruar edhe protesta tjera.

“Lirisht mund t’ju them se secilën herë që këta (deputetët) do të kenë seanca, ne do të jemi këtu”.

Protestuesit janë dëgjuar duke bërë thirrje, “Duam të drejtat tona” dhe “Duam një përgjigje”.

Foto: REL

Marketing