Plot 3412 persona janë përgjuar gjatë vitit 2021 nga prokuroritë e zakonshme në vend, për llogari të 655 hetimeve penale. Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin e kaluar, përdorimi i kësaj metode speciale ka çuar pas hekurave të qelive 640 persona.

Marketing

Në gati 1500 raste, përgjimet janë autorizuar nga gjykata, ndërsa në 740 të tjera janë bërë me urdhër të prokurorit. Përqindjen me të madhe të hetimeve ku janë përdorur janë ato për veprat penale në fushën e narkotikëve dhe për trafikun e kalimin e paligjshëm të kufirit.

Referuar raportit, krimi më i zakonshëm në Shqipërinë e vitit 2021 ka qenë vjedhja e pasurisë, që zë 27.8% të numrit të përgjitshëm të procedimeve. Ndërsa veprat penale me zero hetim të regjistruara kanë qenë ato kundër lirisë së besimit dhe kundër pavarësisë e integritetit, raporton A2cnn

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të ngjarjeve kriminale, numrin më të madh të hetimeve penale e ka Tirana, që ndiqet nga Elbasani dhe Durrësi. Në kahun e kundërt, prokuroritë me numër më të vogël hetimesh, më pak se 1% e totalit të gjithë vendit, janë ato të Tropojës, Matit, Pukës e Përmetit.

Referuar koeficientit të kriminalitetit të llogaritur për 100 mijë banorë, qarku me përqindjen më të ulët për vitin 2021 ishte Qarku Dibër, me 633, ndërsa përqindjen më të lartë e ka Qarku Vlorë, me 1509.

Si një vit zgjedhor, gjatë 2021 prokuroritë e rretheve kanë çuar 7 çështje penale në gjyq me 52 të pandehur për krimet zgjedhore. 46 prej tyre janë dënuar.

Gjatë vitit të kaluar, kanë pasur një tendencë në rritje të hetimit të krimeve seksuale dhe veprave penale kundër moralit e dinjitetit, ku përfshihen “shfrytëzimi i prostitucionit”, “përndjekja” dhe “shpifja”. /albora.ch

Marketing