Lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit kanë çuar katër milionë fëmijë të tjerë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në varfëri, një rritje prej 19 për qind që nga viti 2021.

Marketing

Kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar as Republika e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë, njofton Klankosova.tv.

Rreth 41.5 mijë kosovarë pritet që t’i shtohen numrit të të varfërve në vend si rrjedhojë e ndikimit që do të ketë lufta në Ukrainë në ecurinë ekonomike të vendit. Edhe Shqipëria ka një shifër të konsiderueshme, prej gjithsej 35.4 mijë sosh.

Nga shifra totale e lartcekur, në Kosovë mbi 16 mijë prej tyre janë fëmijë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është më e ulët, me rreth 9 mijë sosh.

Kjo rritje e varfërisë për mbi 16 mijë fëmijë do të përkthehet në 114 vite të humbura shkollimi në Kosovë, vlerëson UNICEF-i, që është programi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët. Në këtë segment, Shqipëria është shumë më keq, me 743 vite të humbura shkollimi si pasojë e rritjes së varfërisë te fëmijët.

Sipas shifrave në rajon, në Serbi pritet t’i shtohen listës së të varfërve 28 mijë persona, në Bosnjë 17 mijë, në Maqedoninë e Veriut 5.5 mijë, dhe në Mal të Zi, 913.

Raporti i UNICEF-it thotë se lufta në Ukrainë, dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e saj, ka zhytur miliona fëmijë të tjerë në varfëri në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në muajt e fundit.

Sfidat me të cilat përballen familjet që jetojnë në varfëri ose në prag të varfërisë thellohen kur qeveritë ulin shpenzimet publike, rrisin taksat e konsumit ose vendosin masa shtrënguese në një përpjekje kufizuese për të nxitur ekonomitë e tyre në afat të shkurtër, pasi kjo zvogëlon shtrirjen dhe cilësinë të shërbimeve mbështetëse nga të cilat varen familjet.

UNICEF-i po bën thirrje për mbështetje të vazhdueshme dhe të zgjeruar për të forcuar sistemet e mbrojtjes sociale në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore; dhe prioritizimi i financimit për programet e mbrojtjes sociale, duke përfshirë programet e asistencës në para për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Marketing