Çështja e pagave po vazhdon të jetë problem në Kosovë. Të martën u lëshuan pagat për sektorin publikë, por nuk ishin ashtu siç ishin premtuar nga Qeveria e Kosovës me Ligjin e Pagave.

Marketing

Ky ligj hyri në fuqi me datën 5 shkurt 2023.

Dje dhe sot pati reagime të shumta lidhur me rritjen e pagave. Disa kishin “fituar” rritje minimale të pagave, kurse disa të tjerë u shprehen se kishin ulej të pagave.

Siç mëson Albora.ch tashmë kanë filluar dorëheqjet nga vendet e tyre të punës.

Një rast i tillë është edhe ai i zyrtarit policor, Leutrim Tërshnjaku, i cili pas 18 vite në shërbim të Policisë së Kosovës ka dhënë dorëheqje.

Ai përmes një njoftimi është shprehur se sot po largohet vullnetarisht nga Policia e Kosovës.

Leutrim Tërshnjaku

“Sot pas më shumë se 18 vitesh përvojë pune në Policinë e Kosovës, e kam dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen time vullnetare. Ishte kënaqësi që pata mundësinë të kontribuoj sado pak në mirëqenien e të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike, racore apo religjioze, vlera këto të kultivuara dhe mirëmbajtura në Policinë e Kosovës që nga fillimi i funksionimit të saj. Të gjithë kolegëve në Policinë e Kosovës ju dëshiroj shëndet dhe suksese në te ardhmen. Ju faleminderit  të gjithëve! Zoti ju bekoftë!”, ka njoftuar Tërshnjaku.

Këtë çështje e ngriti edhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u shpreh se vendi është në një krizë të madhe.

“Në krizën më të madhe në shumë vite, pagat ulen për një numër të të punësuarve, e për disa rriten shumë pak. Shtesa në pagë nga përvoja e punës përgjysmohet nga 0.5% në 0.25% për çdo vit përvojë. Tatimi në pronë rritet. Tatimi në Vlerën e Shtuar në mallra ushqimore nuk ulet, as akciza në naftë nuk ulet”, ka thënë Hoti.

Avdullah Hoti

Po ashtu, ai ka shprehur i brengosur, duke thënë se investimet publike kanë rënë në nivelin më të ulët historikisht.

“Investimet publike bien në nivelin më të ulët historikisht. Në buxhet teprojnë mjetet, të cilat zhvlerësohen nga inflacioni. Subvencionohen kompanitë e sektorit të energjisë dhe bizneset, por askush nuk e di si dhe sa mjete të buxhetit janë shpenzuar. Në Kuvend vijnë marrëveshje për kredi për ndihma sociale.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se mbi 80 mijë profesionistë në administratën publike u tallën dhe u mashtruan.

“Shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan. Ata në vend të pagave, pranuan transfere kuturu”, ka deklaruar ai.

Besnik Tahiri

Po ashtu, ai ka zbuluar se ka punëtorë që nuk u janë llogaritur shtesat, përvoja, rrezikshmëria, etj.

“Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë. Prapa kësaj qëndron agjenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën.

Këta nuk qeverisin përmes ligjeve, në fakt ligjeve ju referohen vetëm për të shtyrë përpara turpin, që thellë, këta të paditur e kualifikojnë si Revolucion. Turp!”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa.

“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, thuhet në njoftim.

Marketing