Një kamarier shqiptar, i cili i preu kokën shefit të tij me thikë djathi, pasi sipas tij “e detyroi Zoti”, ka vendosur të apelojë burgimin e përjetshëm, shkruan oxfordmail.co.uk, transmeton albora.ch.
Jonathan Limani, një shqiptar me pasaportë suedeze, e vrau Christopher Varian në kohën kur ky i fundit po pinte një cigare. Gjykatësi Anthony King e dënoi atë me burgim të përjetshëm në 2012-n, me një minimum prej 19 vitesh në qeli.
Fillimisht ai u izolua në spitalin psikiatrik të sigurisë së lartë Broadmoor, por më pas u rikthye në Suedi. Tanimë mediat suedeze raportojnë se një gjykatës në rajonin e Örebro, ka refuzuar kërkesën e 44-vjeçarit për ta konvertuar dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me vite të caktuara burgu, transmeton tutje albora.ch.
Në kohën kur u shpall fajtor, u tha se ai vuante nga skizofrenia paranojake dhe se ishte një individ tejet i rrezikshëm.
“Ai dëgjonte zëra nga Zoti (që e thërriste) për të parandaluar këtë konspiracion dhe kur të vinte momenti ta vriste shefin e tij në mënyrën siç e bëri”, tha psikiatri Alcock. /albora.ch./