Retinoli ka qenë në treg për më shumë se 30 vjet, por vlera e tij u kuptua vetëm disa vite më parë.

Marketing

Retinoli është një derivat i vitaminës A, i cili stimulon rinovimin e qelizave dhe prodhimin e kolagjenit. Përfitimet e tij më të mëdha janë rivendosja e shtresës më të jashtme të lëkurës dhe eliminimi i qelizave të vdekura të lëkurës dhe yndyrës; eliminon në mënyrë efektive aknet dhe minimizon shenjat e plakjes si rrudhat dhe njollat.

Për të përfituar nga rezultatet e retinoideve, do t’ju duhet të ndiqni disa hapa, pasi këto përbërës mund të kenë efekte irrituese në lëkurë nëse përdoren gabimisht.

Sa më pak aq më mirë

Së pari, duhet të zgjidhni një krem, ose serum me një përqendrim të ulët të retinolit, veçanërisht nëse është hera juaj e parë. Në mënyrë ideale, lëkura juaj gradualisht do të përshtatet me substancën dhe ju do të jeni në gjendje të shmangni skuqjen, dhe inflamacionin e lëkurës.

Niseni pak nga pak

Edhe pse mund të bëhet pjesë e rutinës suaj të përditshme, filloni duke e përdorur dy herë në javë dhe rriteni përdorimin gradualisht nëse nuk përjetoni ndonjë acarim ose efekte të tjera anësore.

Krem kundër diellit

Aplikimi i kremit kundër diellit është një domosdoshmëri në rutinën tuaj të përditshme nëse përdorni retinol, pasi lëkura juaj do të bëhet më e ndjeshme ndaj rrezeve UV dhe rrezet e diellit pakësojnë efektivitetin e produktit.

Natë apo ditë?

Shumica e prodhuesve dhe dermatologëve rekomandojnë përdorimin e formulave me retinol gjatë natës për të shmangur ekspozimin e lëkurës në diell dhe shkaktimin e njollave dhe djegieve.

Gjërat për të shmangur

Retinoli zakonisht përdoret më së miri i shoqëruar me hidratues dhe acidin hialuronik, ndërkohë që nuk duhet ta kombinoni me vitaminë C, acid glikolik ose peroksid benzoil. Në rast se ju duhet të përdorni një nga këto substanca, aplikojeni atë në ditët kur nuk do të përdorni retinol.

Marketing