Së shpejti edhe Italia do të heq kufizimet kundër COVID-19, tha sot kryeministri italian, Mario Draghi, derisa numri i rasteve të infektimit ka nisur të zvogëlohet.
“Në javët në vijim ne do të vazhdojmë këtë rrugë të rihapjes. Duke u bazuar në të dhënat shkencore, ne do të njoftojmë për afatet e heqjes së kufizimeve aktuale”, ka thënë Draghi, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.
Prej kur shpërtheu pandemia Italia ka regjistruar më shumë se 147,000 viktima me koronavirus dhe 11.23 milionë raste të infektimit.
Disa kufizime, si ato në transport dhe restorante tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, por kufizimet e ashpra vazhdojnë të aplikohen për ata që nuk janë të imunizuar.
Ndërkohë, vendosja e maskës është e detyrueshme në ambientet e jashtme.
Fushata shtetërore e vaksinimit konsiderohet e suksesshme, pasi më shumë se 80 për qind e njerëzve kanë marrë dy doza, dhe më shumë se 57 për qind kanë marrë një dozë përforcuese.
Draghi ka theksuar se afati i pasaportës së vaksinës që tregon se dikush është vaksinuar, apo është shëruar nga sëmundja nuk do të ketë afat për ata që kanë marrë dozën e tretë./albora.ch/