Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Marketing

Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se Kosovës mund t’i hiqen vizat gjatë këtij viti, por nuk ka një garanci dhe datë për këtë, shkruan Reporteri.net.

Franca ka konfirmuar se më 23 qershor diskutohet heqja e vizave për Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës u është përgjigjur pyetjeve lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konfirmuar se një çështje e tillë do të trajtohet në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

MPJ franceze në një përgjigje që e ka publikuar në faqen zyrtare të saj, ka thënë se takimi i 23 qershorit do të jetë mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme.

“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, kosovarët nuk kanë qasje në vizën Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse është ajo? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, ka qenë pyetja drejtuar MPJ-së franceze.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera”, thuhet në këtë përgjigje.

Mes tjerash, Franca ka thënë sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, kushtet në lidhje me këtë duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”.

Edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për mundësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë këtij viti.

Ai tha se s’guxon të jap datë, por se ajo po vjen.

Sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave, por problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, tha Lajçak.

Ministrja për Evropë e Austrisë, Karoline Edtstadler ka reaguar pasi Komisioni Evropian rekomandoi për Ukrainën statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk duhet të përdoren standarde të dyfishta, derisa kërkoi që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.

Për mundësinë e heqjes së vizave ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani, në ditën e parë të “Forumin e Prespës për Dialog” që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sa i përket liberalizimit të vizave, presidentja Osmani ka thënë se kriteret në këtë aspekt Kosova i ka plotësuar shumë kohë më parë, e të cilat edhe janë rikonfirmuar.

Presidentja ka shtuar se kjo çështje ka mbetur pezull për shkak të dy tri shteteve anëtare, të cilat vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme dhe e cilëson mesazhin e 23 qershorit si mjaft të rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundojë.

‘’Nuk ka kërkesa më dhe pyetje për Kosovën. Në fakt çështja kanë mbetur te 2-3 shtete anëtare, që vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme. Pra, insistimi ynë është që të diskutohet për liberalizimin e vizave, por mos të harrojmë që vendimi për këtë liberalizim merret në një votim në format tjetër të Këshillit, ku votojnë ministrat e brendshëm dhe jo në formatin që do të takohet me 23 qershor. Megjithatë, mesazhi i 23 qershorit mund të jetë shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundonte’’, ka theksuar Osmani në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, ajo ka thënë se përpos përkrahjes së shteteve tjera anëtarë dhe më të fuqishme të BE-së, ka vende tjera që nuk japin përgjigjen përfundimtare sa i përket kësaj çështjeje.

“Kemi marrë përkrahjen e fuqishme dhe publike të dy shteteve si Kroacia dhe Sllovenia, shtetet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, si shtetet më të fuqishme të BE-së. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shtetet anëtare, por ka vende të tjera që akoma nuk jepin përgjigjen përfundimtare çfarë kahje do të japin’’, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vendim i lehtë për Bashkimin Evropian (BE), pasi që sipas saj nuk ka asnjë arsye që vendimi i tyre të zvarritet.

Sipas saj, është momentum shumë i rëndësishëm pasi më 23 qershor në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Bruksel, do të jepet një mesazh gjeopolitik në raport me Ukrainën dhe shtetet e tjera, dhe se sipas saj do të jepet edhe një mesazh i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e Evropës.

“E që për Kosovën kjo nënkupton liberalizimin e vizave në këtë moment po pas disa muajsh, për Kosovën përgjigjja do të duhej të ishte një ‘po’, në raport me status kandidatin”, ka thënë Osmani.

Kurse ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi ka deklaruar se pritjet janë që kosovarët të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2023

/Reporteri.net/.

Marketing