Ardian Ismajli është përballur me situata të ndryshme, si në fushën e futbollit, ashtu edhe jashtë saj. Mbrojtësi po bën karrierë në Serie A dhe shquhet për vendosmërinë.

Marketing

I vendosur ishte edhe para afro një dekade. Ismajlit, tani 25-vjeçar, i ishte dashur të përballej me një situatë të pazakontë. E pazakontë të paktën për një djalosh të ri, me ëndërr të madhe.

Si 16-vjeçar, mbrojtësi aktual i Shqipërisë kishte qëndruar rreth tri orë në grevë para Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë. Kërkonte me ngulm vizë për t’iu bashkuar në prova skuadrës gjermane, Paderborn. Sigurimi i vizës ishte sfidë.

“Në moshën 16-vjeçare kam marrë ftesë nga klubi i Paderbornit. Por Ambasada e Gjermanisë më refuzoi vizën dhe i revoltuar vendosa të hyjë në grevë urie. Greva zgjati rreth tri orë. U pajtuam që ta ndërpres grevën, me kusht që të nesërmen të pajisem me vizë. Isha i vendosur të mos largohem pa marrë vizë. Ashtu edhe ndodhi, ambasada më pajisi me vizë”, tregon Ismajli për KOHËN, përcjellë albora.ch.

Ideja për të hyrë në grevë ishte e Ardianit, thotë babai i futbollistit, Ilmiu.

“Ardiani ishte i vendosur qysh si fëmijë për ta ndjekur ëndrrën. Ai dëshironte të arrijë shumë në karrierë dhe vendimi të futej në grevë për ta arritur qëllimin që nga ambasada të mos dilte pa marrë vizë, ishte i Ardianit. Unë e kam mbështetur”, ka treguar Ilmi Ismajli.

Ismajli, atëbotë lojtar i 2 Korrikut të Prishtinës, u pajis me vizë gjermane dhe u nis drejt Paderbornit ku kishte qëndruar për dy javë.

“Kam qenë i ftuar edhe nga Arminia Bielefeld”, tregon mbrojtësi i qendrës.

Babai i Ardianit tregon se te Arminia e kanë pëlqyer shumë futbollistin.

“Te Arminia e pëlqyen shumë, sa që fazën përgatitore të dimrit e ka bërë me këtë skuadër. Por lindën disa mosmarrëveshje brenda klubit dhe Ardiani u kthye. Trajneri, që e ka stërvitur, i ka thënë vëllait tim se Ardianin nuk mund ta ndali, por nëse vazhdon kështu, do të arrij shumë lart”, vazhdon tregimin Ilmiu.

Edhe pse nuk mbeti në Gjermani, Ardiani vazhdoi punën për të prekur nivele të larta të futbollit.

“Me durim dhe vendosmëri sot është në Serie A. Nëse vazhdon kështu, me ndihmën e Zotit, do ta shohim lart. Është herët për të treguar emrat e ekipeve të interesuara për të”, thotë Ilmiu, që i ka qëndruar afër gjatë gjithë karrierës Ardianit.

“E kam përkrahur shumë Ardianin, por ka qenë edhe i dëgjueshëm”, thotë me krenari ky prind.

Rruga e Ismajlit deri në Serie A ka qenë e vështirë dhe me sakrifica. Megjithatë dëshira e tij për të bërë karrierë ishte më e madhe. Sot është lojtar i rëndësishëm në mbrojtjen e Shqipërisë, kurse vlerësohet edhe tek Emoli në Serie A.

“Mendoj që karriera e Ardianit duhet të jetë frymëzim për gjeneratat tjera. Sot e kanë shumë më të lehtë të luajnë në Evropë dhe mundësitë janë të mëdha”.

Ismajli është zhvilluar te 2 Korriku i Prishtinës. Për një periudhë ishte i huazuar te Prishtina. Mbrojtësi pretendon se te Prishtina i janë bërë padrejtësi.

“Te Prishtina ka kaluar një periudhë shumë të vështirë për shkak të padrejtësive që janë bërë ndaj tij. E dinë të gjithë ata që kanë dashur ta dinë”, thotë Ilmiu, pa dashur të japë më shumë detaje.

Babai i lojtarit nuk e fsheh mllefin.

“Me të vërtetë ka qenë një rrugë e vështirë dhe i vetmi Ardiani është që nuk ka pasur përkrahje nga njerëz të futbollit, por ka pasur tendencë për ta penguar”.

Falënderues i është kryetarit të 2 Korrikut, Shaban Baholli.

“Personi që e ka ndihmuar Ardianin është Shaban Baholli. Është i vetmi njeri që interesin e lojtarëve e qet para interesit të vet”.

Pas periudhës te 2 Korriku dhe Prishtina, Ismajli kaloi me sukses provat te Hajduku i Splitit. Fillimisht luajti për ekipin e dytë të klubit kroat, ndërsa në fund të edicionit 2015/2016, saktësisht më 14 maj të vitit 2016, debutoi në fitoren e Hajdukut ndaj Zagrebit. Luajti 90 minuta si qendërmbrojtës. Në edicionin 2016/2017 u bë lojtar i rregullt i klubit me nam nga Spliti.

“Në Hajduk kam qenë dhjetë ditë dhe i kam luajtur dy lojë miqësore. Pas përfundimit të lojës së dytë më është ofruar kontrata 3-vjeçare. Pasi kam lidhur kontratë, në lojën e fundit të kampionatit kam startuar për ekipin e parë të Hajdukut dhe pastaj kam qenë titullar i rregullt”, thotë mbrojtësi.

Pas paraqitjeve të mira me Hajdukun dhe Shpresat e Kosovës, Ismajli në shtator të vitit 2020 u transferua te Spezia në Itali. Ai nënshkroi kontratë trevjeçare me klubin italian. Spezias iu bashkua para edicionit të parë të tij në Serie A.

I suksesshëm u tregua edhe te Spezia, ndërsa në gusht të vitit 2021 u transferua te Empoli. Me Empolin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025.

Ismajli në vitin 2015 luajti një ndeshje për U-21 e Shqipërisë, ndërsa ka nëntë ndeshje të mira me Shpresat e Kosovës. Para se t’i bashkohej në nëntor të vitit 2018 Shqipërisë, Ismajli në maj të atij viti luajti 90 minuta për Kosovën në miqësoren kundër Shqipërisë.

Ai nuk ka dashur ta komentojë largimin nga Kosova për te Shqipëria. Thotë se do të vijë koha kur do të flasë hapur.

“Unë jam i kënaqur me gjithçka që kam dhënë për Kosovën dhe Shqipërinë. Unë jam lojtar që jap gjithçka në fushë dhe jam i lumtur për zhvillimin tim në karrierë deri tash. Sigurisht se synimet e mia janë edhe më të mëdha. Dua të luaj për Shqipërinë në një ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror”, ka thënë Ismajli.

Nga skuadrat prishtinase te skuadrat e Serie A është rrugëtim që vështirë do ta bënte pa qenë këmbëngulës. Ashtu siç ishte kur vendosi të qëndronte para ambasadës gjermane, për të kërkuar reagimin e përgjegjësve që nuk po e pajisnin me vizë./albora.ch/

Marketing