Gjermania do të shtojë forcat e saj në Lituani për të forcuar krahun lindor të NATO-s, njoftoi të hënën Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.

Marketing

Në njoftimin e ministrisë thuhet se deri në 350 trupa shtesë do të vendosen në kontingjentin shumëkombësh në vendin baltik, që ndodhet në afërsi të Rusisë.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht në qytetin Munster tha se trupa shtesë mund të nisen për në Lituani brenda pesë ditëve në mes të një grupimi të trupave ruse pranë Ukrainës, gjë që ka rritur tensionet në rajon.

“Berlini po koordinohet me shtetet baltike për këtë çështje. Kjo është arsyeja pse ne po forcojmë kontributin tonë për trupat në krahun lindor të NATO-s dhe po dërgojmë një sinjal të qartë të vendosmërisë sonë për aleatët”, tha ajo.

Gjermania drejton trupat e NATO-s në Lituani dhe në kontingjent ka rreth 500 trupa.

Rusia ka mbledhur mijëra trupa pranë kufirit me Ukrainën, gjë që ka ngritur frikën se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.

SHBA-ja dhe aleatët e tyre kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”. Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet për një pushtim të Ukrainës, duke pretenduar se ushtarët rusë janë atje për të kryer stërvitjet.

Marketing