“Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla gjendet për një vizitë zyrtare në Greqi”.

Marketing

Kështu është bërë e ditur në një njoftim zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ku mes tjerash thuhet se Gërvalla do të takohet me homologun e saj helen, Nikos Dendias, për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit në Greqi do të zhvillojë takime edhe me diplomatë dhe me komunitetin e biznesit për të inkurajuar avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të promovuar ofertën kosovare për investitorët e huaj.

“Gërvalla gjithashtu do të ketë në fokus gjatë takimeve të saja forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, kulturës, por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, thuhet në komunikatë.

Gjatë vitit të kaluar që po lëmë pas sidoqoftë ishte i dukshëm flirtimi i Kosovës me Greqinë, njërin ndër pesë vendet mos njohëse të BE-së.

Në gazetat e afërta me qeverinë greke, si ajo Kathimerini raportoheshin për një përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe një njohje eventuale e saj nga shteti helen.

Madje Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën greke Real News, tërthorazi kishte argumentuar pro legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës.

Gjithashtu kryediplomati grek duke arsyetuar qasjen e re helene në raport me Kosovën kishte pohuar se Greqia “nuk do krijimin e një ‘vrime të zezë’, në Ballkan”, duke aluduar kështu për një akomodim të interesave greke në gadishull.

Njohja e Kosovës nga Greqia për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti do të ishte dëshmia thelbësore se Athina është e gatshme të luajë rol udhëheqës rajonal në Ballkan.

Por, përveç përafrimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, njohja e Greqisë nuk u sigurua. /albora.ch/

Marketing