Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kundër një “përshkallëzimi verbal” me Moskën pak orë pasi homologu i tij amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kasap”.

Marketing

“Unë nuk do t’i përdorja ato fjalë,” tha presidenti francez në një intervistë për France 3.

Presidenti francez theksoi se “duhet bërë gjithçka për të ndaluar përshkallëzimin e situatës”, në mënyrë që të ketë shpresë për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Macron tha se gjithë fokusi duhet të jetë që fillimisht të arrihet një armëpushim dhe më pas tërheqja e plotë e trupave ruse, duke nënvizuar se kjo duhet bërë me mjete diplomatike. “Nëse duam ta arrijmë këtë, nuk mund të përshkallëzojnë situatën me fjalë apo vepra”.

Presidenti amerikan Joe Biden e bëri të qartë gjatë një fjalimi në Varshavë se për SHBA, Vladimir Putin nuk duhet të mbetet në pushtet.

“Në emër të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha ai, ndërsa nuk hezitoi ta quante homologun e tij rus, një “kasap”.

Kremlini u përgjigj menjëherë: “Nëse Putini qëndron apo jo në pushtet, kjo nuk do të vendoset nga Biden”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peshkov, duke shtuar se “kjo duhet të jetë vetëm zgjedhja e popullit të Federatës Ruse”.

Me dozë ironie, Peshkov tha se “nuk i takon Bidenit të vendosë. Presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët”.

Shtëpia e Bardhë më pas u përpoq ta zbusë deklaratën e Biden. “Presidenti nuk po bën thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në një deklaratë të posaçme.

“Ajo që presidenti donte të thoshte ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk diskutoi sundimin e Putinit në Rusi, as nuk diskutoi ndryshimin e regjimit”, tha Shtëpia e Bardhë duke bërë kështu që deklaratat e Biden të përgënjeshtrohen. /albora.ch/

Marketing