Ndeshja Zvicër – Kosovë do të luhet më 29 mars, me fillim nga ora 18:00. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin Letzigrund, në Cyrih.

Marketing

Kombëtarja Dardane do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Zvicrës dhe pritet të jetë një përballje që do t’i vë në pozitë të vështirë edhe shqiptarët, por edhe zvicranët, raporton albora.ch.

Lidhur me ndeshjen vëllazërore që do të zhvillohet mes Kosovës dhe Zvicrës, emisioni “Fol Shqip Show”, më 27 mars, të gjithë minutazhën do t’ia dedikojë vetëm futbollit.

Përmes emisionit dhe albora.ch, do të keni mundësi të shihni ballafaqimin e zvicranëve të martuar me shqiptare dhe shqiptareve të martuar me zvicranë, se kush për kë do bëjë tifo dhe këto situata do ju befasojnë.

Përveç parashikimeve se kush do fitojë ndeshjen e vitit, në emision do të ketë edhe intervista ekskluzive, kështu që bëhuni gati.

Kujtojmë, se Federata e Futbollit e Zvicrës ka njoftuar se po përballet me kërkesë të madhe të biletave për ndeshjen miqësore Zvicër – Kosovë.

 “Për shkak të kërkesës së madhe për bileta për ndeshjen ndërkombëtare të Kombëtares së Seniorëve për meshkuj të martën, më 29 mars 2022, kundër Kosovës (18:00 në Letzigrund Cyrih), e gjithë tribuna jugore do të ketë ulëse”, thuhet në njoftimin e Federatës Zvicerane të Futbollit.

Federata e Zvicrës gjithashtu njoftoi se do të hedhin në treg edhe rreth 2 mijë bileta të tjera.

“Të mërkurën, më 9 mars, nga ora 14:00, do të dalin në shitje edhe rreth 2000 bileta të tjera me çmim 30 franga për të rriturit dhe 15 franga për të rinjtë”, thuhet tutje në njoftim.

Këto bileta mund të blihen vetëm online përmes platformës www.ticketmaster.ch.

Nga ana tjetër. mediumi zviceran, “Blick” e ka quajtur duel vëllazëror këtë takim, duke shkruar “Së pari në Wembley më pas dueli vëllazëror me Kosovën”.

“Çfarë starti në vitin e Kampionatit Botëror. Zvicra testohet ndaj Anglisë në ‘Wembley’ dhe më pas pret Kosovën për duelin vëllazëror”, ka shtuar mediumi helvetik.

Ky takim pritet të jetë i veçantë për futbollistët nga Kosova të cilët përfaqësojnë kombëtaren e Zvicrës.

“Përfundimisht ndeshje e veçantë për kapitenin Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirin”, shkruan më tej mediumi zviceran.

Kjo njëkohësisht do të jetë edhe ndeshja e parë për Kosovën në vitin 2022. /albora.ch/

Marketing