Qeveria britanike ka urdhëruar ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh. WikiLeaks tha se do të apelonte vendimin.

Marketing

Ministrja e brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel, nënshkroi urdhrin e ekstradimit të premten, më 16 qershor. Kjo vjen pas një vendimi të gjykatës britanike në muajin prill ku thuhej se Assange mund të dërgohej në SHBA për shkak të publikimit të një numri të madh dokumentesh konfidenciale nga WikiLeaks më shumë se një dekadë më parë, transmeton REL.

Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë se procesi i ekstradimit të Assange nuk është i padrejtë dhe nuk është abuzim i procesit gjyqësor.

“Nuk është konstatuar as që ekstradimi do të ishte i papajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe për lirinë e shprehjes, dhe se në SHBA ai do të trajtohet siç duhet, përfshirë edhe çështjet që lidhen me shëndetin e tij”.

Vendimi përbën një moment kyç në betejën shumëvjeçare të Assange për të shmangur gjykimin në SHBA, edhe pse jo domosdoshmërish është fundi i historisë. Assange ka 14 ditë kohë për të apeluar vendimin.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve britanike ekstradimin e Assange në mënyrë që ai të gjykohet mbi 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterësh. Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks i publikoi më vonë, duke vënë kështu në rrezik jetë njerëzish.

“Sot nuk është fundi i kësaj çështjeje. Është vetëm fillimi i një beteje të re ligjore”, tha gruaja e Assange, Stella Assange. Ajo tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënonte “një ditë të zezë për lirinë e shtypit dhe për demokracinë britanike”.

“Juliani nuk bëri asgjë të keqe”, tha ajo. “Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk është kriminel. Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet sepse bëri punën e tij”.

Një gjykatës britanik miratoi ekstradimin në muajin prill, duke ia lënë vendimin përfundimtar Qeverisë britanike. Vendimi erdhi pas një beteje ligjore që u shqyrtua deri në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

Foto: Wikipedia

Marketing