Nga shkurti të gjithë banorët e Austrisë do t’iu duhet të paguajnë gjobë në vlerë 3600 euro nëse nuk vaksinohen. Përjashtimet janë të mundshme vetëm për gratë shtatzëna dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore.
Kështu, Austria do të jetë vendi i parë i BE-së që do të vendosë vaksinimin e detyrueshëm kundër virusit korona. Krejt kjo vjen nga një projektligj që qeveria prezantoi të dielën në Vjenë. Kërkesa për vaksinim duhet të zbatohet për personat e moshës 18 vjeç e lart dhe jo siç ishte planifikuar më parë, nga mosha 14 vjeç, shkruan 20 minuten.ch, përcjell albora.ch.
Parlamenti është planifikuar të miratojë ligjin më 20 janar. Kjo konsiderohet një formalitet sepse koalicioni qeverisës i ÖVP-së konservatore dhe të Gjelbërve ka shumicën e thjeshtë të nevojshme.
Kontrollet duhet të fillojnë në mes të marsit, për shembull në trafikun rrugor, siç tha Ministri i Shëndetësisë Ëolfgang Mückstein. Ligji parashikon gjoba të larta: Kushdo që nuk përmbush kërkesën për vaksinim dhe humbet një takim për vaksinimin duhet të paguajë nga 600 deri në 3600 euro.
Rregullat e reja vlejnë për të gjithë ata që banojnë në Austri. Ndërkohë, të shëruarit duhet të përjashtohen nga rregullat për 180 ditë.
Nga partitë opozitare, vetëm FPÖ e krahut të djathtë, e cila bashkëqeverisi nga viti 2017 deri në vitin 2019, refuzon kategorikisht vaksinimin e detyrueshëm. Kundërshtarët e ligjit kritikojnë ndër të tjera se vaksinat nuk parandalojnë mjaftueshëm kalimin e virusit.
“Nuk bëhet fjalë për të luftuar të vaksinuarit kundër të pavaksinuarve”, tha kancelari Karl Nehammer. /albora.ch/