Ka kaluar një kohë e gjatë prej se një aktakuzë e re u inicua nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Marketing

E fundit që u konfirmua, është ajo ndaj Pjetër Shalës, në luftë i njohur me nofkën Komandant “Ujku”.

Gjatë këtyre ditëve të fundit, në media pati raportime se së shpejti priten arrestime të reja nga Specialja, e madje edhe të komandantëve të zonave të cilët janë më në zë.

Por, aktit të arrestimit fillimisht dhe ligjërisht në bazë të punës së deritanishme të Gjykatës Speciale duhet t’i prijë një fletëarrest i lëshuar nga gjykatësi paraprak. Ky i fundit, caktohet në rastet kur ka një aktakuzë ndaj ndonjë individi. Pra, arrestimet nga Specialja deri tani kanë ndodhur pas konfirmimit të një aktakuze.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Herën e fundit kur një gjyqtar paraprak u caktua të merret me një çështje/aktakuzë, ishte rasti i Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, e të cilët nuk akuzohen për krime lufte, por për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë.

“Vendimi i fundit publik i Kryetarit të Dhomave të Specializuara për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake është vendimi i datës 29 tetor për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

I fundit që u arrestua nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është pikërisht Pjetër Shala, disa muaj pasi që atij i ishte konfirmuar aktakuza dhe ishte caktuar gjyqtari paraprak.

“Në zbatim të urdhërarrestit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e specializuara, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim (nëse nuk është në paraburgim), informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara. Nëse nuk është lëshuar fletarrestimi dhe nëse është në liri, i akuzuari thirret për t’u paraqitur personalisht ose përmes videolidhjes në shqyrtimin fillestar para Dhomave të Specializuara”, thuhet në pikën 4 të nenit 39 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Aktualisht në Gjykatën Speciale po zhvillohen katër procese gjyqësore, tri prej të cilave për krime lufte.

Që të gjithë të akuzuarit janë në paraburgim dhe të njëjtëve deri tash u janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri./albora.ch/

Marketing