E njohin jetën dhe mentalitetin në Kosovë e në Shqipëri dhe në përgjithësi në Ballkan, ku kanë lindur e janë rritur, por edhe në Evropë, ku tash jetojnë e punojnë. Të arsimuara e me përvojë jetësore e në profesionet e tyre, mbase përgjigjet e tyre në pyetjen “Si është të jesh grua në Ballkan, e si në Evropë” mund të jenë me dobi për vendet tona në tranzicion.

Marketing

Anketës sonë, në vazhdimin e dytë, i përgjigjet Anna Tena. Anna, e lindur në Shkodër, tash jeton në Athinë, punon si mësuese e gjuhës angleze. Ka kryer studimet në Gjuhën angleze me Michigan University dhe vazhdon studimet në fakultetin e Filozofisë në Alison University, në Spanjë. Thotë se nuk e ka për tituj, se tek thjeshtësia gjen më shumë dije. Ajo që do është të ketë me vete një skuadër të mirë me të vetmin qëllim shpërndarje pa kufi të mirësisë.

Gruaja, e programuar paraprakisht

Një grua në Shqipëri nuk lind, nuk krijohet, nuk formohet, ajo programohet paraprakisht nga lindja gjer në vdekje.

Paraprakisht për gratë rregullat janë të vendosura dhe asnjë vendim nuk i takon asaj të marrë për veten, madje edhe kur një femër është më e shkathët, kundërshtuese, kjo nuk vjen si rezultat i dëshirës dhe vullnetit të saj të lirë e të qartë por si një reagim, një rezultante mes veprimit të masës jogrua (shtypjes, shtytjes) dhe kundërveprimit të gruas.

Aksioma, maksima, a priori për femrën në Shqipëri nuk ekziston. Me a priori kuptohet që çdo individ i lindur dhe i rritur duhet të ketë një vullnet dhe ligj të brendshëm i cili autorizon, i cili i jep lirinë e vendimmarrëse mbi veten e tij, të veprojë sipas rregullit më të mirë të mundshëm civil në fuqi (moralit të kohës).

Në Shqipëri morali i lëvizshëm tronditës i kohës ndryshon shpesh dhe pa shkak, ndërsa a priori i gruas jo.

Të gjitha rregullat përtypen, ndërrohen, interpretohen për pjesët e shoqërisë jogrua.

Zonat rurale kanë probleme të thella konceptimi të lirisë individuale po aq sa kanë edhe zonat e qendrës. Nga ekstremi në ekstrem.

Në Shqipëri ose duhet të jesh grua “për shtëpi” ( zonat rurale) ose duhet të jesh “e zonja” (zonat në qendër).

Në të dy rastet duhet të jesh e pëlqyeshme mjaftueshëm nga ata që paguajnë bukën ose nga ata që të hapin rrugën.

Femrat shqiptare nuk rrezikojnë të jenë feministe.

Janë më maskiliste sesa vetë meshkujt të cilët edhe ata janë të shtypur nga maskulizmi që duhet të tregojnë në një shoqëri plot tabu, plot vese të cilat nuk kujdeset kush t’i kurojë por promovohen.

Do të thosha se vullneti i lirë dhe liria autonome për të pasur sekush rregullat e veta në Shqipëri mungon tërësisht, për këdo.

Liria është virtyt, jo ves, sepse liria është vetëm dije.

Kryesorja, të gjithë/ gjitha duhet të jenë në rregull me moralin e turmës dhe askush nuk e vret mendjen se sistemi ligjor ka atë që quhet, a priori, mbrojtje e vullnetit dhe mendimit të lirë.

Ankohen ndaj ligjit të cilin vetë nuk e zbatojnë.

Heqja e hallkave të zinxhirit

E, sa për pjesën e dytë të pyetjes, ju them:

Gjëja e parë që më bëri përshtypje me të shkelur në këtë vend, në Greqi, ishte humori. Para se të shpjegoj se si ndjehet një grua jashtë Shqiperisë dhe në rastin konkret në Greqi, do t’ju kujtoj edhe juve shprehjet standarte, të cilat i dëgjoja pa shkelur këtu.

“Atje gruaja bën komandë!”

“Ajo pinte frape dhe cigare këmbë mbi këmbë e ai punonte me ne!

“Njëherë madje ajo i kërkoi edhe ujë ndërsa të dy ishin ulur në tavolinë dhe ai u ngrit e ja solli!”

“Ata janë budallenj (grekët në rastin përkatës) se shtëpinë ja lënë vajzës e ajo pastaj sillet si i do qejfi (qejfi, në këtë rast, siç do e mësoja pas vitesh ishte që gruaja të fliste pa u druajtur, me të gjithë dhe të shprehte mendimin e saj kurdoherë).

Në këtë vend u përshtata shumë më shpejt sesa në vendin tim, në të cilin nuk i përshtata asnjëherë, as tani, për sa më përket mua.

Gratë këtu jetojnë në një vend të lirë dhe në shumicën e rasteve e vetmja diktaturë që i ndjek pas është ajo e bashkëshortit shqiptar, i cili edhe ai është rritur nën diktatin që të diktojë. Megjithatë, i shoh se edhe vetë janë në mëdyshje dhe ka raste që nuk ndryshojnë sjellje (përveçse kur janë në publik). Sidoqoftë, një gjë është e sigurtë, këtu askush nuk i kërkon gruas diçka ekstra për të mbajtur vendin e punës dhe kryesorja, gjënë e parë që “heq qafe” gruaja shqiptare këtu, zgjedha e parë që largon nga vetja, është mendimi kolektiv, sjellja me bazë gjinore dhe lidhja fisnore.

Shkëputje të tilla fillimisht duken të vështira por pastaj bëhen të domosdoshme. Sapo heq hallkën e parë të zinxhirit fillon të shohë ajo se robëria është një iluzion që të sjell fatkeqësi, ndërsa liria është gjendja natyrale të cilën çdokush afrohet me dëshirë.

Femra jashtë Shqiperisë nuk është fajtore për gjithçka, nuk shfajësohet pa arsye dhe nuk fajësohet për ekzistencën e saj.

Që të jem e qartë dhe ta mbyll:

Gruaja shqiptare në Greqi i ka të gjitha mundësitë të mos ndjehet si e tepërt, të mos dëgjojë ato shprehjet (për mua të papranuara që kur e njoh veten) që dikur thuheshin rëndom:

“Vajzat janë mikesha në shtëpinë e babës”!

“Vajza asht derë e huj.”

“Nderi i grus asht tek burri”, etj., etj.

Nderi i çdo njeriu të përvetshëm është përbërja dhe përmbajtja e tij, arsyetimi racional në çdo situatë, morali i brendshëm i cili delegon detyrime vetëm ndaj vetes.

Sëmundjet më të rënda të shpirtit i sjell mungesa e lirisë e cila ekziston njëlloj si tek dhunuesi dhe tek i dhunuari

Fatkeqësia më e madhe e gruas shqiptare është se ose nuk ka mundësi, ose nuk kërkon të arsimohet.

Këtu njerëzit trajtohen pa Gjini dhe ky është një hap i stërmadh drejt civilizimit. Këtu gruaja matet me punën dhe me suksesin e saj individual si pjesë e familjes dhe si një nga bashkëudhëheqësit e saj.

Këtu gruaja matet me dëshirën e saj dhe vullnetin, jo me pëlqimin dhe miratimin e turmës rrethuese.

Aristoteli ka thënë:

Një individ mund të masë zotësinë e tij, potencialin e tij, vetëm nëse bashkëvepron mes të barabartëve, sepse vetëm aty ai mund të korrigjohet vazhdimisht.

(D. G.)

Marketing