I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka njoftuar se Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka arritur në Prishtinë.

Marketing

“Sot e mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë një nder të shërbej si i ngarkuar me punë gjatë muajve të fundit”, ka shkruar Giacobbe në Tëitter.

Ndërkaq të hënën e 10 janarit pritet të mbahet ceremonia e marrjes së kredencialeve, siç ka bërë të ditur Giacobbe.

Më 30 dhjetor, Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Lajmin e kishte bërë të ditur Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, përmes një postimi në Tëitter.

“Të martën, Jeffrey Hovenier është betuar para Nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Po presim arritjen e tij”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Por, kush është Jeffrey M. Hovenier?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e emëroi në korrik diplomatin Hovenier për postin e ambasadorit të Kosovës.

Ai është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.

Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore. /albora.ch/

Marketing