Përmes një njoftimi për media Ambasada e Kosovës në Gjermani ka treguar se njohja e patetë shoferëve të Kosovës nga Gjermania merr kohë, shkruan albora.ch.
“Duke qenë se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë i ka rekomanduar me datë 29 dhjetor 2021 Këshillit Federal (Bundesrat-it) të procedojë tutje me miratimin e marrëveshjes, ka mbetur që Bundesrat-i, si instanca finale institucionale, të thotë fjalën e fundit. Kështu që, sot, më datë 26 janar 2022 në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim ka kaluar pa vërejtje”.
Ai ka theksuar se nga ana Bundesrat-it ka mbetur edhe hapi i fundit procedural, që është votimi në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022.
“Në lidhje me pyetjet e dërguara dhe paqartësitë për Bundesrat-in: ai nuk është dhoma e dytë e parlamentit gjerman (tipike për shumë shtete tjera me sistem parlamentar bikameral). Si organ (sui generis) legjislativ, Bundesrati nuk përbëhet nga deputetët e zgjedhur (siç është rasti i Bundestag-ut), por nga përfaqësuesit e 16 landeve gjermane (përkatësisht nga krerët e qeverive të landeve apo ministrat e resorëve përkatës) dhe përbëhet nga 69 anëtarë”.
“Kështu që, marrëveshja e sipërpërmendur do të votohet në Bundesrat dhe për aprovimin e saj nevojitet shumica e thjeshtë (prej 35 votash)”.
Në këtë njoftim potencohet poashtu se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, se sa kjo marrëveshje ua lehtëson punën, ua lehtëson jetën dhe kryerjen e aktiviteteve tuaja në Gjermani, andaj jemi në kontakte të vazhdueshme me institucionet e shtetit mik të Gjermanisë, që jo vetëm këto shqetësime tuaja ditore, por edhe tema të tjera të interesit të përbashkët t`i adresojmë dhe zgjidhim bashkërisht.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, se një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës (me vendbanim apo leje qëndrimi në Gjermani) janë gjobitur nga autoritetet vendase në mungesë të kësaj marrëveshje. Kemi pranuar me dhjetëra thirrje dhe mesazhe telefonike dhe vërtetë ndjejmë keqardhje për secilin rast veç e veç. Andaj, dëshirojmë t`ju sigurojmë se shqetësimet tuaja janë brengat tonat”.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin (ARKS), së bashku me gjashtë misionet konsullore, do të vazhdojë të jetë në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në Gjermani”. /albora.ch/