Kosova mund të demonstrojë më së miri gatishmërinë për përgjegjësitë e anëtarësimit në NATO duke vazhduar zbatimin aktiv të tranzicionit 10-vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Kështu, të paktën, kanë bërë të ditur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Marketing

 “Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën të zërë vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në përgjigjen e dhënë nëpërmjet e-mailit.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjatë dhe të qëllimshme”, deklaron më tej zëdhënësi i ambasadës.

Siç theksohet më tej në përgjigjen e ambasadës për mediumin, SHBA vazhdon të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e parë fazën tranzitive të kalimit në ushtri si “përparim domethënës”.

Qëllimi i këtij plani është të ndërtojë një forcë mbrojtëse shumë-etnike dhe territoriale të ndërveprueshme nga NATO, nën kontrollin civil, e cila jo vetëm që është e aftë të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të Kosovës”, deklarohet ambasada amerikane në Prishtinë.

Deklarimet e bazës diplomatike amerikane në Kosovë vijnë në vazhdën e kërkesave të krerëve shtetërorë kosovarë të anëtarësimit të vendit në organizatën ndërkombëtare ushtarake. Kërkesat e establishmentit kosovar është vlerësuar se po shoqërohen me frikën e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe, Kosovës veçanërisht, nga Serbia, pushtetin e së cilës presidentja e kryeministri kosovar po preferojnë ta quajnë si “kukull të Putinit”.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, në vazhdueshmërinë e kërkesave për anëtarësimin e vendit në NATO nëpër mediat e huaja, një gjë të tillë e ka ritheksuar edhe në intervistën e tij mbrëmë në CNN. Kurti ka thënë se, përkundër që Kosova nuk është pjesë e NATO-s, është në dijeni për prezencën ushtarake të organizatës në Kosovë.

Gjithashtu presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i kërkoi mbështetje këtij të fundit për anëtarësimin e Kosovës në paktin e NATO-s.

Shteti i fundit që i është bashkëngjitur organizatës perëndimore është Shqipëria, më 2009-ën. Përfaqësuesja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Shqipërisë, përgjatë një vizite në Kosovë, ka thënë se përpjekja që bën shteti fqinj për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e bën askush tjetër.

NATO është organizata ushtarake më e madhe në botë, pjesë e së cilës janë 30 shtete anëtare.

NATO ishte edhe parakusht i lirisë së Kosovës me intervenimin humanitar më 1999-ën, që zgjati 78 ditë në mënyrë që t’i largonte forcat serbe nga ajo që nga 2008-a e tutje u njoh si Republika e Kosovës nga shumica e vendeve demokratike të botës.

Marketing