Nëntë persona humbën jetën të shtunën në një përplasje trafiku “kaotike” ku ishin të përfshira gjashtë automjete në veri të Las Vegasit.
“Ne nuk kemi parë një përplasje trafiku me viktima si kjo më parë”, citohet të ketë thënë para gazetarëve të shtunën vonë Alexander Cuevas, oficer i informacionit publik për Policinë e Las Vegasit të Veriut, shkruajnë mediat e huaja.
Pesëmbëdhjetë persona ishin përfshirë në incident, tha Cuevas.
“Dy prej tyre u transportuan nga vendi i ngjarjes në Qendrën Mjekësore Universitare, ku njëri ndërroi jetë më vonë”, ka bërë të ditur ai. “Tjetri ka mbetur në gjendje kritike”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, zyrtarët kanë thënë se shpejtësia ishte një faktor në aksident.
Duke bërë të ditur detajet, policia ka thënë se ishte një veturë Dodge Challenger që po lëvizte drejt veriut “me një shpejtësi të lartë” në Commerce Street përpara përplasjes.
E Cuevas tha se dëshmitarët panë Challenger-in duke kaluar përmes një semafori të kuq.
“Dhe, me këtë, ai goditi shumë automjete dhe, për fat të keq, ishte një ngjarje kaotike”.
Veç kësaj thuhet se edhe shoferi i Challenger ishte mes të vdekurve.
Ndërkohë është shtuar se të vdekurit varionin nga të miturit e rinj deri tek të rriturit e moshës së mesme.
Por policia tha se identiteti i tyre do të bëhet i ditur nga ana e mjekësisë ligjore. /albora.ch/