Ka reaguar ambasada ukrainase në Tiranë, duke i quajtur deklarata dezinformuese akuzat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pasi që ai hodhi akuza se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovina po rekrutohen për tu dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Marketing

Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, thuhet se po bëhen me qëllim që të përshkallëzojnë konfliktin, teksa i bëjnë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë.

“Shtetasit ukrainas banojnë në të dy anët e linjës së kontaktit. Paqja, siguria dhe mirëqenia e tyre janë një prioritet absolut për Ukrainën. Pretendimet se qeveria ukrainase synon të nisë një operacion sulmues në territoret e pushtuara përkohësisht të rajoneve Donetsk dhe Luhansk janë të shkëputura nga realiteti. Ukraina gjithashtu nuk po kryen apo planifikon asnjë akt sabotues në Donbas”, njofton ambasada.

Tutje në njoftim thuhet se: “Ne kundërshtojmë kategorikisht përpjekjet e Rusisë për të përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar të sigurisë. Ne mbetemi fort të përkushtuar ndaj zgjidhjes politiko-diplomatike dhe, së bashku me partnerët tanë, maksimizojmë përpjekjet për të ulur tensionin dhe për ta mbajtur situatën në linjë me dialogun diplomatik. Në të kundërt, ne vëzhgojmë Federatën Ruse duke shpalosur fushatën e saj për të shpërndarë dezinformata masive, duke rritur granatimet e pozicioneve të Ukrainës dhe infrastrukturës civile, duke përdorur armët e ndaluara nga Marrëveshjet e Minskut dhe duke përshkallëzuar situatën e sigurisë.

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare që të dënojnë menjëherë provokimet e kryera nga Federata Ruse dhe administratat e saj pushtuese në Donbas, duke minuar procesin e zgjidhjes politiko-diplomatike. Mungesa e reagimit të duhur ose një qëndrimi neutral do të shërbejë vetëm për përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Ambasadës Ukrainase në Tiranë”, përfundon njoftimi./albora.ch/ 

Marketing