Policia e Tropojës ka reaguar pasi një automjet që iu vodh ministrit të Mjedisit në Kosovë u tentua të kalohej në pikën kufitare të Morinës nga autori i vjedhjes. Sipas asaj që njoftohet, bëhet fjalë për një 43-vjeçar me iniciale B. S., banues në Obiliq, Kosovë.

Marketing

Automjeti tip “Audi A3” me drejtues 43-vjeçarin u kalua në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm gjatë kontrolleve me përzgjedhje në kufi. Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.

43-vjeçari u vu në pranga  për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, ministri të Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliu, iu vodh makina gjatë mëngjesit të së mërkurës. Ka qenë vetë shoferi i ministrit Aliu, i cili ka denoncuar vjedhjen e makinës në mëngjes në polici. 

Njoftimi:

Tentoi të kalonte kufirin me automjet të vjedhur, në pronësi të një institucioni të Republikës së Kosovës, vihet në pranga.

Në PKK Qafë Morinë, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Obiliq, Kosovë.

Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.

Në përfundim të veprimeve proceduriale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasin B. S., 43 vjeç, banues në Obiliq, Kosovë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Marketing