Qeveria zvicerane ka rritur mbështetjen e saj humanitare për viktimat e luftës në Ukrainë. Të premten ajo miratoi 80 milionë CHF (86 milionë dollarë), si në lloj “shprehje të solidaritetit të saj me ukrainasit në nevojë”.

Marketing

Rreth 12 milionë njerëz janë të varur nga ndihma emergjente për shkak të ndërhyrjes së vazhdueshme ushtarake të Rusisë në Ukrainë. “Me këtë kontribut, Zvicra po shpreh solidaritetin e saj me ukrainasit në nevojë”, tha qeveria, të premten, transmeton albora.ch.

Që nga fillimi i luftës, Zvicra ka vënë në dispozicion ndihma, ka dërguar specialistë të ndihmës dhe ka dhënë mbështetje financiare për disa organizata humanitare. Kombi alpin ka dërguar tashmë mbi 500 ton ndihmë në Ukrainë, Poloni dhe Moldavi, shkruan swissinfo.

Zvicra fillimisht vuri mënjanë 8 milionë CHF për operacionin e saj të ndihmës në Ukrainë; kjo tani është rritur në 80 milionë CHF.

Një e katërta e këtyre parave do të shkojë për të ndihmuar refugjatët ukrainas në vendet fqinje, si Polonia. Tre të katërtat e saj janë caktuar për njerëzit në Ukrainë. Fondet do të shkojnë për Lëvizjen e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, agjencitë e OKB-së, OJQ-të, projektet ndërkombëtare dhe lokale të zbatuara nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Ukrainë.

Refugjatët

Që nga fillimi i luftës, më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Rreth 1.5 milionë njerëz kanë udhëtuar në Poloni.

UNHCR vlerëson se 10-15 milionë ukrainas do të zhvendosen nga lufta, nga një popullsi prej 44 milionë. Kreu i UNHCR-së, Filippo Grandi, tha se kjo ishte kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zvicra ka regjistruar 1,624 ukrainas, nga të cilët 1,145 janë duke qëndruar në qendrat federale të azilit dhe 479 janë me të afërm dhe të njohur. Megjithatë, autoritetet presin që shifra të rritet ndjeshëm. Midis 50,000 dhe 60,000 ukrainas mund të kërkojnë mbrojtje në Zvicër pas pushtimit rus të Ukrainës, sipas ministrit zviceran të drejtësisë. /albora.ch/

Marketing