40 diplomatë rusë duhet të largohen nga Gjermania pasi janë shpallur “persona të padëshiruar”. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock komunikoi, se pjesëtarët e Ambasadës Ruse “kanë punuar çdo ditë këtu në Gjermani kundër lirisë sonë, kundër bashkëpunimit dhe shoqërisë sonë”. Kur diplomatët shpallen persona të padëshiruar, ata duhet të largohen nga vendi.

Marketing

Puna e diplomatëve rusë është “një kërcënim për ata që kërkojnë të gjejnë mbrojtje tek ne”, deklaroi Baerbock duke argumentuar vendimin, transmeton albora.ch.

Ambasadori rus Sergej Netshajev u thirr në Ministrinë e Jashtme nga sekretari i shtetit, Andreas Michaelis dhe u informua për dëbimin e diplomatëve. Personat e prekur kanë kohë pesë ditë për t’u larguar nga Gjermania. Sipas këtyre informacioneve mendohet, se personat në fjalë mund të jenë të lidhur me shërbimet informative ruse.

Lidhur me mizoritë në qytetin ukrainas Butsha, Baerbock tha, se këto imazhe “dëshmojnë për një brutalitet të pabesueshëm të udhëheqjes ruse” dhe të atyre që që ndjekin propogandën e tyre, “për një zell asgjësimi, që tejkalon çdo kufi”.

Imazhe të ngjashme druhet se mund të ketë edhe nga shumë zona të tjera, ku trupat ruse e kanë pushtuar Ukrainën. “Kësaj mizorie ne duhet t’i kundërvihemi me forcën e lirisë dhe të demokracisë sonë si dhe me humanizmin tonë”, tha ministrja e Jashtme.

Marketing