Në ditën e tretë të agresionit, forcat ruse shkatërruan në Ukrainë avionin më të madh në botë, që përdorej për transport mallrash.

Marketing

Ishte avioni më i madh dhe më i rëndë në botë për transportin e mallrave. Por tani kjo është ajo që ka mbetur nga avioni i ushtrisë ukrainase, “AN-225 Mriya”

Forcat ruse e shkatërruan avionin legjendar në 27 shkurt, në ditën e tretë të luftës në Ukrainë.

“Gjysma e avionit u shkatërrua plotësisht. Pjesa kryesore ku uleshin pilotët, kabina jonë, u shkatërrua e gjitha”, thotë për Zërin e Amerikës, Dmytro Antonov një nga pilotët e avionit.

Ai tregon se ka fluturuar me këtë avion për herë të fundit në 5 shkurt, nga Danimarka në Ukrainë. Zoti Antonov thotë se ishte e vështirë ta pranonte se avioni ishte shkatërruar.

“Derisa të shihja vetë atë që kishte mbetur nga avioni, me sytë e mi, nuk mund ta besoja”, tregon ai për Zërin e Amerikës.

Piloti Antonov shkoi për të parë mbetjet e avionit një ditë pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti Hostomel, ku ndodhen hangarët e uzinës “Antonov”.

“Kjo është e tmerrshme…”, thotë ai teksa e shikon nga afër atë që ka mbetur nga avioni. Kapiteni Antonov fluturoi 1500 orë me avionin “Mriya”.

Avioni është përdor për të transportuar gjeneratorë për stacionet e energjisë, kafshë dhe ndihma humanitare. Gjatë pandemisë së koronavirusit, avioni u përdor për të transportuar pajisje mjekësore në të gjithë botën.

“Kishte gjithmonë shumë njerëz që donin të dinin si ishte ndërtuar ky avion. Shumë gazetarë donin të dinin se si fluturon gjithë ky avion, si ishte projektuar ”, tregon piloti Dmytro Antonov.

Ai dhe ekspertë të thjerë thonë se është e pamundur të riparohet avioni. Por sipas tij mund të ndërtohet një i ri. Kostoja, për të ndërtuar një avion të këtyre përmasave, mund të shkojë nga 800 milionë deri në 3 miliardë dollarë.

Ai e pranon se nuk ka kuptim të rindërtohet avioni për përdorim komercial, por ai thotë se mund të jetë i vlefshëm për t’u përdorur për mënyra të tjera.

“Besoj se avioni “Mriya” duhet të rindërtohet, jo si një projekt tregtar, por si një simbol dhe jo vetëm simbol i Ukrainës. Si simbol i gjithë botës, simbol i fitores”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Foto: Screenshot

Marketing