Në orët e para të së mërkurës, Kazakistani është zgjuar nën zhurmën e protestës dhe tymin e revolucionit, raporton BBC, përcjellë albora.ch.

Marketing

Sipas burimeve të Orda.kz, ndërtesa e Departamentit të Policisë së Almaty-t është sekuestruar nga protestuesit.

Këta të fundit, janë armatosur edhe duke kapur armatimet e efektivëve në rrugë.

Me dorëheqjen e qeverisë kazake, protestuesit nuk kanë ndalur zemëratën e tyre, duke iu drejtuar zyrave qeveritare dhe atyre të prokurorisë.

Vendi u përfshi nga protestat masive në orët e mbrëmjes të 4 janarit, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.

Edhe pse presidenti kazak, Kassym-Jomart Tokayev siguroi se situata po qetësohej, ka ndodhur krejt e kundërta.

Zyra e prokurorit në Almaty ishte në flakë për disa çaste, por në vendngjarje mbërriti menjëherë zjarrfikësja.

Pas shuarjes së saj, nga larg dukej tymi i zi që lë gjurmë mbi qytetin më të madh të ish-republikës sovjetike.

Nga përplasjet e dhunshme kanë mbetur të plagosur ushtarë të shumtë.

Policia, ndërkaq, gjuajti granata trullosëse drejt mijëra protestuesve që marshonin drejt ndërtesës kryesore të administratës.

Kjo e fundit është goditur vazhdimisht, siç dëshmohet dhe nga pamjet amatore të xhiruara.

Një situatë larg panoramës së dhunshme të Almaty-t është dëshmuar në Aktobe.

Në qytetin që ndodhet në perëndim të Kazakistanit, policia njoftoi se nuk do të vepronte kundër protestuesve.

Situata në qytete

Almaty është kthyer në epiqendrën e protestës në Kazakistan, e cila ka marrë përmasa kombëtare.

Në Atyrau, “kryeqytetin” energjetik të Kazakistanit kanë shpërthyer trazirat e dhunshme.

Aty gjenden kompanitë e mëdha perëndimorë si Chevron, Exxon dhe Shell.

Në Kostany janë regjistruar përleshje mes protestuesve dhe policisë, kordoni i të cilëve është thyer.

Ndërsa, në Aktau protestuesit kanë ndaluar ushtarët, duke i zbritur nga kamionët dhe duke i sekuestruar pajisjet e tyre.

Ministria e Jashtme turke, ka reaguar përmes një qëndrimi zyrtar duke e konsideruar si “të rëndësishëm stabilitetin e Kazakistanit”.

“Shpresa jonë është paqja dhe qetësia e popullit vëlla kazak. Ne kemi besim të plotë se administrata e Kazakistanit do ta kapërcejë këtë krizë”, shkruhet në deklaratë.

Ndërkaq, Kremlini zyrtar ka garantuar se autoritetet kazake nuk kanë kërkuar ndihmë nga Federata Ruse.

Masat

Më herët, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të larguar qindra protestues nga sheshi kryesor në Almaty.

Protestat tronditën imazhin e Kazakistanit si një vend politikisht i qëndrueshëm.

Teksa komunikoi me anëtarët në detyrë të kabinetit, Tokayev urdhëroi ata dhe guvernatorët e provincave të rivendosin kontrollet e çmimeve të LPG-së (gazi i lëngshëm i naftës).

Numri një i presidencës kazake urdhëroi gjithashtu qeverinë të zhvillojë një ligj për falimentimin personal.

Presidenti kazak tha se situata po përmirësohej në qytetet e goditura nga protestat pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Rindërtimi i ngjarjes

Protestat nisën në provincën perëndimore prodhuese të naftës të Mangistau-s të dielën e 2 janarit.

Kjo, pas heqjes së kufirit të çmimit të gazit të lëngshëm të naftës, një karburant popullor makinash.

Një ditë më pas çmimi i tij u dyfishua.

Tokayev shpalli gjendjen e emergjencës në Almaty dhe Mangistau.

Ai do të shprehej se, pas dhunës, qëndronin provokatorë vendas dhe të huaj.

Ministria e brendshme kazake tha se, përveç Almat-it, ndërtesat qeveritare u sulmuan në qytetet jugore të Shymkent-it dhe Taraz-it gjatë natës.

Bilanci ishte 95 oficerë policie të plagosur dhe më shumë se 200 persona të arrestuar.

Kryebashkiaku i Almaty-t, Bakytzhan Sagintayev, në një fjalim para banorëve tha se situata në qytet ishte nën kontroll dhe forcat e sigurisë po arrestonin “provokatorët dhe ekstremistët”. /albora.ch/

Marketing