Testet mjekoligjore të kryera në kufomat e civilëve të hedhura në varreza masive në rajonin e Kievit tregojnë se gratë janë përdhunuar përpara se të vriteshin brutalisht.

Marketing

Dhjetra autopsi janë kryer mbi kufomat e gjymtuara nga Bucha, Irpin dhe Borodianka, ku shumë prej tyre tregojnë shenja torture dhe vrima të shumta plumbash në shpinë, shkruan Dailymail.

Vladyslav Pirovskyi, një mjek ligjor ukrainas që kreu autopsitë, thotë se tashmë kanë disa raste që tregojnë se ato gra ishin përdhunuar përpara se të qëlloheshin për vdekje.

“Ne nuk mund të japim më shumë detaje pasi kolegët e mi janë ende duke mbledhur të dhënat dhe ne kemi ende qindra trupa për të ekzaminuar”.

Ai foli edhe për vështirësitë e identifikimit të trupave.

“Ka shumë trupa të djegur dhe trupa të shpërfytyruar rëndë që është thjesht e pamundur të identifikohen. Fytyra mund të bëhet copë-copë, nuk mund ta bashkosh sërish, ndonjëherë nuk ka fare kokë”.

Një mjek në veri të Kievit tha se është e vështirë të gjesh shenja përdhunimi dhe abuzimi seksual sepse trupat ‘janë në gjendje kaq të keqe’.

Qytetet përreth Kievit që u rimorën nga forcat ukrainase kanë zbuluar mizori të tmerrshme, me trupat e qindra civilëve të vdekur të grumbulluar pasi trupa ruse u tërhoqën.

Hetuesit kanë dëgjuar dëshmi për përdhunime në grup, sulme me armë dhe përdhunime të kryera në sy të fëmijëve.

Pjesa më e madhe e provave të mbledhura nga prokurorët ukrainas së shpejti do t’i përcillen Gjykatës Penale Ndërkombëtare e cila ka nisur një hetim mbi krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Ukrainë.

Marketing