Këshilli i Shteteve në Zvicër (apo Dhoma e Lartë e Asamblesë Federale të Zvicrës) ka vendosur me shumicë të madhe që të zgjasë dislokimin e forcës paqeruajtëse zvicerane në Kosovë deri në vitin 2026, mandati i së cilës skadon në fund të vitit, dhe t’i japë asaj një hapësirë për manovra sa i përket personelit.

Marketing

Prania e forcave të KFOR-it në Kosovë mbetet e nevojshme për shkak të brishtësisë së situatës, theksoi përfaqësuesja e partisë zvicerane Aleanca e Qendrës, Andrea Gmur-Schonenberger, në emër të Komisionit për Politikë të Sigurisë, raporton “tvsvizzera”.

“Është në interesin e Zvicrës që të vazhdojë përdorimin e Swisscoy, i cili është i integruar në KFOR, veçanërisht për arsye sigurie”, tha Këshilli i Shteteve.

Thierry Burkart, deputet i Partisë Radikale Liberale (FDP) në Zvicër, ka folur për diasporën e madhe kosovare në Zvicër. Ai tha po ashtu se një konflikt i armatosur në Ballkan mund të zhvendosë mijëra njerëz.

“Flukset e refugjatëve do të ishin një detyrë gjigante për autoritetet tona”, tha presidenti i FDP-së, duke shtuar se një tërheqje zvicerane nga Kosova nuk do të kuptohej nga partnerët ndërkombëtarë.

Ministrja e Mbrojtjes e Zvicrës Viola Amherd vuri në dukje se “tensionet vazhdojnë”, pavarësisht se situata është relativisht “e qetë dhe e qëndrueshme”.

Zgjatja e mandatit të Swisscoy, që skadon në fund të vitit 2023, dhe mundësia e rritjes së kontingjentit me maksimum 30 ushtarakë u miratuan me 33 vota kundër dhe dy abstenime nga Dhoma e Lartë e Parlamentit. Këshilli Kombëtar ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Nëse Këshilli Kombëtar pranon vendimin e Këshillit të Shteteve, numri i personelit mund të përshtatet shumë më shpejt sipas nevojave.

Buxheti i Swisscoy për vitin 2023 arrin në rreth 41 milionë euro.

Debati në Parlamentin e Zvicrës vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po diskutojnë propozimin e Bashkimit Evropian për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. 

Marketing