Marketing

Stuhia e madhe dimërore, e përcjellë nga bora dhe akulli, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, ka përballur mbi 80 milionë banorë me paralajmërime për motin.

Më shumë se 145,000 persona janë pa energji elektrike në disa rajone jugore dhe lindore. Virxhinia, Xhorxhia, Karolina Jugore dhe ajo Veriore, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA (NWS) thotë se në disa zona priten më shumë se 30 cm borë.

Bora dhe akulli mund të rezultojnë në “udhëtime të rrezikshme, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime të pemëve”, paralajmëroi NWS.

Patrullat e autostradës raportuan qindra aksidente automjetesh, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

Kishte gjithashtu parashikime për përmbytje të mundshme bregdetare në disa zona, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut dhe pjesë të Konektikatit, me paralajmërime se mund të preken rrugët dhe infrastruktura.

Ndërkohë në provincën Ontario të Kanadasë, e cila ndan një kufi me shtetin e Nju Jorkut, zyrtarët lëshuan paralajmërime për stuhi të dielën në mëngjes për pjesën më të madhe të jugut.

Në Toronto, kryeqyteti i provincës dhe qyteti më i madh i Kanadasë, parashikohet të bjerë deri në 20 cm borë.

Më shumë se 3,000 fluturime në dhe jashtë SHBA u anuluan të dielën, sipas faqes së internetit të gjurmimit të të dhënave FlightAware.

Marketing