Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbështeti vendimet e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kushtetutës së entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës si dhe ligjeve penale në këtë shtet.

Marketing

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht veprimin e përfaqësuesit të lartë për të ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën të ecë përpara drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Blinken në llogarinë zyrtare në Twitter.

“Populli i Bosnjë e Hercegovinës ka nevojë dhe meriton një qeveri funksionale, efikase dhe të përgjegjshme”, shtoi Blinken.

Edhe Ambasada amerikane në Bosnjë e Hercegovinë, të enjten, përshëndeti vendimin e kreut të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë (OHR).

Përmes këtyre ndryshimeve, Christian Schmidt mundësoi formimin e Qeverisë së Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, gati shtatë muaj pas zgjedhjeve të mbajtura në tetor të vitit të kaluar. Përveç ndryshimeve të përhershme, ai ka marrë edhe një vendim të përkohshëm që do të jetë i vlefshëm vetëm për këtë cikël zgjedhor.

“Është për të ardhur keq që përfaqësuesi i lartë duhej të ndërhynte. Megjithatë, është e qartë se edhe një periudhë tjetër e qeverisjes me mandat teknik, do të ishte e dëmshme dhe destabilizuese jo vetëm për Federatën boshnjake-kroate, por edhe për të gjithë Bosnjë e Hercegovinën”, ka theksuar ambasada e SHBA-së në Bosnjë, përmes Twitter-it.

Sipas amendamenteve të Kushtetutës së Federatës boshnjake-kroate, të cilat i ka vendosur Schmidt, nëse të dy nënkryetarët nuk japin pëlqimin e tyre, por vetëm njëri, një propozim i tillë emërim i paraqitet Dhomës së Përfaqësuesve, ku për konfirmim kërkohet shumica e thjeshtë.

Risi është se për një gjë të tillë votohet edhe në Dhoma e Popullit e Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë imponoi gjithashtu ndryshime në ligjet penale të Federatës dhe të Republikës Sërpska me qëllim “forcimin e integritetit të zgjedhjeve”.

Sipas këtyre ndryshimeve, që janë identike për të dy entitetet, kushdo që kërkon ose merr para ose ndonjë vlerë apo përfitim, sikurse punësimi, ose ndërmjetëson për një gjë të tillë, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet dhe gjobitet me para.

Më 28 prill, një grup i qytetarëve dhe disa anëtarë të Partisë boshnjake për Veprim Demokratik po protestojnë para Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, për shkak të vendimit të përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt, lidhur me zhbllokimin e formimit të qeverisë së kësaj federate.

Për protestë ka bërë thirrje Partia e Veprimit Demokratik (SDA), partia më e madhe boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë, e cila i konsideron vendimet e Schmidt për formimin e qeverisë si “të papranueshme” dhe “jokushtetuese”. Kjo parti nuk do të jetë pjesë e pushtetit nëse të premten konfirmohet qeveria.

Protestat u organizuan gjatë kohës kur Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate duhet të votojë për qeverinë e re, gjë që u bë e mundur me vendimin e Schmidt.

Qeveria e Federatës u formua për herë të fundit në vitin 2015 dhe ka qenë me “mandat teknik” që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018.

Marketing